Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ju ka mbyllur xhirollogaritë personale bankare disa punonjësve të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen.
Mbyllja e këtyre llogarive është bërë disa javë pas arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi.
Lajmi.net ka kontaktuar me avokatin e të deportuarit Osman Karakaya, Leutrim Syla, i pyetur për xhirollogaritë e mbyllura të punonjësve të kolegjit “Mehmet Akif”, Syla ka thënë se familjes Karakaya nuk i ka ndodhur një gjë e tillë, por ka thënë se gjatë ditëve në vazhdimi pritet të ndodhë.
“Familjarët e klientit tim nuk më kanë njoftuar nëse atyre ju kanë mbyll apo jo, kurse disave ju ka ardh nga një SMS (mesazh në telefon), disave jo. Më shumë mundësi gjithë punonjësit do marrin mesazhe të tilla, për shkak të prapavijës turke që ka BKT-ja. Po mendoj se kështu do të ndodhë, nuk e di, por supozojë”, ka thënë avokati.
Ai ka thënë se familja e klientit të tij kanë kërkuar azil në Turqi.
“Jo për momentin nuk ka diçka të re. Disa prej tyre kanë aplikuar për azil disa prej tyre jo. Për momentin vetëm janë azil kërkues”, ka thënë ai.
Syla ka thënë se tani për tani familjarët po presin çfarë po bëhet më Komisionin hetimor për turqit e deportuar, informacione nga AKI, ministria e Punëve të Brendshme.
“Tani vetëm po presin çfarë do të bëhet me komisionin parlamentar, çfarë informata po ofron AKI-ja, çfarë informata po ofron ministria e Punëve të Brendshme, këto njëherë përnjëherë po priten”, ka thënë ai.
Kujtojmë, se gjashtë shtetasit turq ishin arrestuar dhe dëbuar me një aeroplan të Shërbimit të Inteligjencës Turke më datë 29 mars vetëm pak orë pasi u arrestuan nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).
Pesë prej personave të dëbuar nga Kosova ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk. /Lajmi.net/