Arsimtari që vrau drejtorin e Arsimit të Prishtinës, zgjedh heshtjen si mbrojtje

E publikuar: 03/09/2016 18:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gani Sahiti i akuzuar për vrasjen e ish-drejtorit të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu, zgjodhi të mos flasë dhe të mbrohet në heshtje në gjykimin ku po akuzohet për vrasje,shkruan Lajmi.net.

Ndonëse ishte e paraparë që sot në Gjykatën e Prishtinës i akuzuari Gani Sahiti t’u përgjigjej pyetjeve të avokatit të tij, prokurores dhe avokatit të familjes Salihu, ai nuk e bëri këtë.

“Mbrojtësi është konsultuar me të akuzuarin dhe i akuzuari shfrytëzon të drejtën e tij ligjore që në këtë çështje penale tani të mbrohet në heshtje,” tha kryetari i trupit gjykyes Beqir Kalludra duke njoftuar për qëndrimin e Sahitit.

Megjithëse vendosi të mbrohet në heshtje, Sahiti tha para kryetarit të trupit gjykues se qëndron prapa deklaratave të dhëna në prokurori.

“Ashtu edhe siç e thashë, qëndroj në përpikëri pranë deklaratave të mia të dhëna para prokurorit të shtetit, ndërsa për deklaratat e tjera jo,” tha Sahiti në gjykatë.

Për veprën penale për të cilën akuzohet, Gani Sahiti nga Gjykata Themelore e Prishtinës në qershorin e vitit 2013 qe dënuar me 35 vjet burg.

Mirëpo, rasti u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në janar 2014 me arsyetimin se janë konstatuar shkelje thelbësore të dispozitave penale gjatë gjykimit të shkallës së parë.

Në rigjykim në seancën e 14 prillit 2015 pas leximit të aktakuzës Gani Sahiti kishte deklaruar se i pranon disa veprime lidhur me veprën për të cilën akuzohet, por jo edhe kualifikimin e aktakuzës.

Sahiti akuzohet se më 3 tetor 2011 në vendin e punës në mënyrë dinake dhe të paskrupullt privoi nga jeta Remzi Salihun, atëkohë drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast do të mbahet më 7 shtator 2016.