Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për armëmbajtje pa leje në fshatin Biçec të Kaçanikut.
Atje, PK-ja ka bërë të ditur se rreth orës 09:00 ka pranuar një informacion se në këtë fshat, dy persona posedojnë armë të zjarrit.
“Policët e rendit dhe hetuesit policorë menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe kanë identifikuar personat: K.B ( M/K) i moshës 23 vjeçar dhe M.S (M/K) i moshës 25 dhe tek i dyshuari K.B janë gjetur 2 armë të zjarrit, të cilat si prova materiale janë sekuestruar. Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë në Kaçanik dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, të dyshuarit janë liruar për procedurë të rregullt hetimore”, thuhet në komunikatë.
PK-ja ka njoftuar se ndaj të njëjtëve janë iniciuar dy raste: “Mbajtje ne pronësi, kontroll ose posedim te paautorizuar te armeve” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.