Arrestohen dy mjekë në Gjilan, dyshohet se morën qindra euro ryshfet për ta kryer një ndërhyrje

E publikuar: 30/04/2023 11:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës i ka arrestuar dy mjekë në Gjilan, pasi dyshohet se kanë marrë qindra euro ryshfet për të kryer një ndërhyrje.

Njëri prej të arrestuarve është anesteziolog, ndërsa njëri kirurg.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, pas kryerjes së veprimeve operative/hetimore, kanë arritur të sigurojnë dyshime të arsyeshme se i dyshuari me profesion doktor/anesteziolog, dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë njëqind euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, po ashtu dyshime të arsyeshme janë siguruar edhe për të dyshuarin e dytë me profesion doktor/kirurg, se lidhur me ndërhyrjen kishte marr treqind e tridhjetë euro, ndërsa kishte kërkuar edhe dyqind euro shtesë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pasi që është siguruar urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për stimulim të veprës penale (Marrja e ryshfetit), Policia thotë se “hetuesit kanë arritur të sigurojnë dëshmi gjatë dorëzimit të parave tek njëri i dyshuar”.

“Nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë arrestuar dhe shoqëruar për intervistim personat e dyshuar, ku me vendim të prokurorit të shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim në afat prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë.