
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka komentuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka komentuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Për këtë vendim që ka kundërshti të mëdha nga komuniteti i biznesit dhe kompanitë vendore dhe aktvendime nga Gjykata Komerciale, Kurti tha se “nuk besoj që do të ketë probleme siç është trumbetuar”.
Kurti tha se ky vendim vetëm rreth 1 për qind të kompanive në vend i prek.
“Bëhet fjalë për një vendim nga viti 2016 që është dashur të zbatohet dhe bëhet fjalë për rreth 1 për qind të kompanive, të cilët do të kenë mundës të nënshkrujnë kontratat për blerje të energjisë. Furnizuesi i mbramë (fundit) është vet KEK-u dhe unë nuk besoj që do të ketë probleme siç është trumbetuar”, tha Kurti në një intervistë në Tëvë1.
Megjithatë, për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen në tregun e lirë të energjisë, KosovaPress dhe komuniteti i biznesit ditë më parë kanë siguruar edhe vendime që janë marrë nga Gjykata Komerciale e Kosovës, Departamenti për Çështje Administrative më 25 qershor 2025.
Po ashtu bizneset vazhdimisht janë duke bërë padi ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji për anulimin e vendimit për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë të ditur se vazhdon të funksionojë zyra për përpilimin e padive ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), lidhur me vendimin për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Sipas OEK, kjo zyrë është krijuar për të ofruar mbështetje ligjore për të gjitha bizneset e prekura nga ky vendim dhe po shënon interesim të lartë nga ana e kompanive të cilat kanë nevojë për ndihmë në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për kontestimin ligjor.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë qëndron fuqishëm prapa deklarimeve të saj se procesi i liberalizimit është shoqëruar me një sërë shkeljesh procedurale dhe substanciale, të cilat janë evidentuar edhe nga institucionet evropiane.
Po ashtu edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit shqetësimet e saj të thella përkitazi me zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë, në dritën e aktvendimeve të fundit gjyqësore që pezullojnë ekzekutimin e vendimeve të lëshuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Bizneset e Kosovës kishin organizuar protestë kundër vendimit të ZRrE, pasi sipas përfaqësuesve të bizneseve një veprim i tillë do të krijonte një ekonomi të rënduar në Kosovë.