Anëtari i VV-së thumbon të dorëhequrit: Dashamirës me kundërshtarët, kundër partisë

E publikuar: 10/03/2018 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka vazhduar t’i thumboj grupin e pakënaqur të Vetëvendosjes të cilët kanë dhënë dorëheqje nga postet partiake, shkruan Insajderi.

Rrustemi të dorëhequrit i ka krahasuar me kundërshtarët e VV-së. Ai ka thënë se është tipar i aktivistët të jetë i pakompromis me kundërshtarët, e i dashur me aktivistët, por sipas tij tek të dorëhequrit është duke u vërejtur e kundërta.

“Është tipar i aktivistit që të jetë i vendosur e i pakompromis me kundërshtarët, por i dashur me aktivistë e dashamirës me Organizatën. Ajo çfarë po shohim këtyre ditëve nga disa të dorëhequr, është e kundërta: të dashur e dashamirës me kundërshtarët e Lëvizjes, por të vendosur kundër Lëvizjes”, ka shkruar Rrustemi në llogarinë e tij në Facebook.

Gjatë ditës së djeshme deputetja e VV-së Albulena Haxhiu e cila fillimisht kishte dhënë dorëheqje nga postet partiake në VV e më pas ishte rikthyer, për të dorëhequrit ka thënë se janë bërë për keqardhje.

“Akuzat dhe etiketimet e ulëta ndaj Lëvizjes, nga disa që janë dorëhequr, interesant, janë të njëjta si ato të ca analistëve e agjentëve të pushtetit, që na i bënin dikur. Mos qofsha në lëkurën e tyre, janë bërë për keqardhje”, ka shkruar Haxhiu në Facebook./Insajderi.com