Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar Raportin vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRrPP) për vitin 2022, raporton Ekonomia Online.
Osman Vishaj, kryetar i KRrPP-së tha se kjo është hera e parë që ky raport është duke u prezantuar në përputhje me ligjin në fuqi.
Avni Sahiti, anëtar i bordit të KRrPP-së, i cili e prezantoi këtë raport tha se me përgjegjësi të plotë konstatojnë se progresi dhe rezultatet e arritura janë pozitive dhe në pajtueshmëri me planin e performancës.
“Raporti në aspektin e mandatit ligjor përmban edhe aktivitete, qëllimi kryesor është garantimi i mirëfunksionimit. Të arritura Gjatë viti 2022, me përgjegjësi konstatojmë se progresi dhe rezultatet e arritura janë pozitive dhe pajtueshmëri me planin e performancës. Tjetër ndryshim është edhe ndryshimi i kontratave të afateve kohore. Sa i përket fushës së monitorimit ka pasur një zgjerim deri te monitorimi i kontratës. KRrPP ka arrit që mbi 11 mijë njoftime të monitorohen gjatë kësaj kohe. Ka pasur edhe masa ndëshkuese ndaj zyrtarëve të prokurorimit që nuk e kanë zbatuar ligjin”, tha ai.
Deputeti i VV-së Armend Muja ka pyetur se pse nuk është arritur objektivi i hapjes së kontratave.
“Një nga çështjet që ka qenë edhe vitin e kaluar është hapja e kontratave pa disponim të mjeteve, që është një nga parakushtet bazë të ligjit të prokurorimit publikë. Dikush mund të hap kontrata, ose të bëjë njoftime për kontrata pa pasur disponim të mjeteve, kjo ka qenë gjetja e Auditorit të Përgjithshëm, por edhe diskutimit të viti të kaluar. Kjo nuk është realizuar si objektiv, cilat kanë qenë vështirësitë dhe kur mendon se këto do të realizohen”, pyeti Muja.
Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku tha se KRrPP-ja nuk ka arritur t’i përmbush objektivat e saj kështu duke dëmtuar bizneset edhe qytetarët.
Ai tha se Qeveria ka abuzuar me parën publike duke bërë kontrata jotransparente.
“A mund të na sqaroni se për çka janë shpenzuar mjete për telefonit mobile. Numri i kontratave është më i vogël për mbi 200 kontratat se sa vitin e kaluar. Kjo tregon që qeveria nuk ka realizuar objektivat, kështu ka dëmtuar bizneset edhe qytetarët. Është për t’u shqetësuar së kjo Qeveri ka bërë kontrata pa transparencë. Qeveria ka bërë abuzime më paranë publike përmes negociatave”, tha ai.
Osman Vishaj, kryetar i KRrPP-së, tha se jo i gjithë stafi përdor mbushjet telefonike, sipas tij, viteve të fundit është ulur numri i mbushjeve.
“Sa i përket telefonisë mobile, stafi jo të gjithë marrin mbushje telefonike. E kam zvogëluar numrin e mbushjeve vetëm për stafin jo për menaxhmentin”, tha ai.
Deputeti i PDK-së Ferat Shala, ka pyetur se çka është duke ndodhur me kontratat, pasi sipas tij, nuk ka pasur transparencë në to. Ai për këtë përmendi kontratën për licenca softuerike dhe kontratën për pasaporta.
“Çfarë ka ndryshuar nga praktikat e mëhershme kur shumë kontrata kanë qenë transparente dhe tash nuk janë. Kemi rastin konkret, 16 milionë euro në Ministrinë e Punëve të Brendshme për licenca softuerike. Pse ndryshoi kjo praktikë tash, 16 milionë euro negociatë, pse nuk i është dhënë mundësia edhe të tjerëve t’i shohim ato licenca. Kjo fushë është aq e hapur dhe komunikuese me gjithë globin saqë ka mundur dikush të aplikojë”.
“Pse ndodhi kjo, në të kaluarën kjo nuk ka ndodhur, ka pas transparencë, thirrje publike dhe kanë shkuar. Apo, rasti njëjtë është me 4.5 milionë me dokumente, pasaporta dhe letërnjoftime, pse e negociuar, çfarë ka ndryshuar. Pra, nuk e kemi diçka të veçantë, nuk ka ndërruar asgjë situata për pasaporta, as për patenta të softuerëve, është diçka që ka rrjedh natyrshëm që nga viti i shpalljes së pavarësisë e tutje. Po pse tash e kemi kufizuar këtë situatë, kur dhjetëra milionë euro shkojnë pa transparencë dhe pa konkurrencë. Po më intereson komenti juaj”, tha ai.
Nga anëtarët e KRrPP-së u kërkuan që këto pyetje të dërgohen me shkrim pasi të njëjtit nuk kishin informacione për to.