Aleksandar-Vucic-Foto: Facebook
Politologu Alexander Rhotert ka punuar rreth 20 vjet për organizata të ndryshme ndërkombëtare në Ballkan. Prej vitesh ai është njëri nga analistët më kritikë ndaj qasjes së BE-së në raport me Serbinë. Këtë e tregon edhe analiza e tij më e re mbi Ballkanin, botuar në gazetën “Tageszeitung” të Berlinit.
Alexander Rhotert thekson se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po përpiqet të deformojë historinë duke ushqyer narrativin e vjetër serb, sipas të cilit “Perëndimi”, “Genscheri”, CIA dhe Vatikani, ishin përgjegjës për shkatërrimin e Jugosllavisë.
“Asgjë nga këto nuk mund të provohet historikisht. Interesante nuk janë vetëm klasifikimet historike të Vuçiqit, por edhe dhimbja e dukshme për humbjen e Bashkimit Sovjetik. Pikërisht këtë dhimbje e ndan me mikun e tij të ngushtë, Vladimir Putin”, shkruan Rhotert.
Ai përkujton se me deklaratat e tij para OKB-së, Vuçiqi bëri të qartë para bashkësisë ndërkombëtare se sa shumë e përbuz BE-në dhe NATO-n dhe sa i afërt është me Rusinë. Këtë e dëshmoi edhe duke i dhënë ambasadorit rus në OKB “Urdhrin e Meritës së Serbisë”, pasi Rusia, së bashku me Bjellorusinë, Kinën, Korenë e Veriut dhe të tjerët, kishin votuar kundër rezolutës që e shpalli 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.
Në fund të gushtit, shkruan Rhotert, Vuçiqi dhe Emmanuel Macron nënshkruan një marrëveshje për furnizimin me 12 avionë luftarakë Rafale francezë. Pas kësaj, zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, – një adhurues i shpallur i Stalinit – udhëtoi për në Vlladivostok, ku përcolli përshëndetjet më të ngrohta të shefit të tij për Putinin: “Siç e dini, Serbia nuk është vetëm një partner strategjik i Rusisë, por edhe një aleat i Rusisë. Për këtë arsye, Serbia është nën presion të madh. Megjithatë, Serbia kurrë nuk do të bëhet anëtare e NATO-s dhe kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Federatës Ruse… Serbia kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pjesë e histerisë antiruse.“
Sipas Rhotert, mesazhi i përcjellë nga Vulin simbolizon një dështim të përsëritur të politikës së qetësimit të BE-së. Në vend që ta pranojë këtë, zëdhënësi i BE-së Peter Stano madje mbrojti Serbinë: “Nuk është vërtet e qartë për kë flet zoti Vulin, veçanërisht në Moskë, kur ai thotë këto gjëra për Rusinë dhe Serbinë”.
Deklarata e Stanos tregon se BE-ja nuk ka mësuar asgjë nga dështimet e viteve 1990-të gjatë agresioneve serbe. Parandalimi i nevojshëm i krizave përmes frenimit të Beogradit është inekzistent.
Brukseli po përsërit të njëjtat gabime që bëri atëherë, kur vazhdimisht theksonte se duhej marrë parasysh edhe agresori, presidenti i Serbisë Slobodan Millosheviq dhe serbët.
Brukseli, Berlini dhe Parisi injorojnë faktin se Serbia vazhdimisht kërcënon fqinjët e saj Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën me pretendime territoriale dhe po forcon lidhjet e saj me Rusinë, shkruan Rhotert. Sipas tij, askush në Bruksel nuk dëshiron ta pranojë se sa shumë është zhvilluar boshti Moskë–Beograd. Me pafuqinë e saj, BE-ja përpiqet të mbajë afër Serbinë, e cila është “kandidate për anëtarësim“, duke shpërndarë miliarda euro pa kushte. Kjo ndodh pavarësisht deficiteve të mëdha demokratike dhe faktit që 65 për qind e popullsisë serbe e kundërshton anëtarësimin në BE. Berlini ndërmjetësoi në korrik – saktësisht 33 vjet pas sulmit të Serbisë ndaj Kroacisë – një marrëveshje miliardëshe për shfrytëzimin e litiumit serb për BE-në. Sipas llogaritjeve të qeverisë gjermane, kjo do ta afronte Serbinë më shumë me BE-në.
Por kjo doli të ishte një gabim i madh, pasi sanksionet e kërkuara ndaj Rusisë u injoruan nga Serbia.
Përkundrazi, vazhdon Rhotert, bashkëpunimi ushtarak me regjimin e Putinit po forcohet. Një skenar lufte, potencialisht i rrezikshëm, vazhdon të përmendet nga Beogradi: Kosova. Serbët që jetojnë atje pretendohet se po shtypen nga qeveria në Prishtinë dhe se po kryhen “spastrime etnike“. Kjo retorikë ishte përdorur në fund të viteve 1980-të nga mentori i Vuçiqit, Sllobodan Milosheviq, për të përgatitur popullsinë për agresion ndaj popujve të tjerë, nënvizon Rhotert.
Megjithëse Washingtoni po vepron me gjysmë zemre kundër planeve për një “Serbi të Madhe”, pa ndërhyrjet e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, në Kosovë në tetor 2023 dhe të drejtorit të CIA-s, William Burns, në Bosnjë në gusht të këtij viti, me shumë gjasa do të kishte tashmë tri luftëra në Evropë.
Rhotert arrin në këtë konkludim në fund të analizës së tij: “Nëse BE-ja nuk dëshiron të përjetojë një tjetër dështim në Ballkan, duhet të nxjerrë mësime nga politika e dështuar e tolerimit të Serbisë në vitet 1990. Në shkurt, ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, paralajmëroi Vuçiqin në Beograd se “nuk mund të vallëzosh në dy dasma njëkohësisht”.
“Kushdo që nuk i mbyll sytë ndaj fakteve të javëve të fundit e sheh qartë se Beogradi po vallëzon në dasmën e Moskës. Dhe këtë e bën me mbështetjen financiare dhe miratimin e fshehtë të Brukselit”.