Amir Rrahmani: Trajneri i Greqisë më shau sonte, iu ktheva menjëherë

E publikuar: 12/06/2022 23:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbje të hidhur sonte në Volos të Greqisë.

Në “Panthessaliko Stadium”, “Dardanët” ishin sonte mysafirë të Greqisë, shkruan FrontOnline.

Ndeshja e vlefshme për grupin 2 të Ligës C të Kombeve i takoi helenëve 2:0.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani Amir Rrahmani analizoi humbjen në udhëtim ndaj Greqisë, duke pranuar se skuadra vuajti presingun e vendasve. Gjithashtu kapiteni i “Dardanëve” zbuloi edhe debatin me trajnerin e Greqisë, në rastin e ndërprerjes së ndeshjes.

“Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë, ku vuajtëm shumë dhe nuk arritëm të dalim dot në kundërsulm. Kemi humbur shumë topa në mesfushë dhe nga shansi për të dalë në kundërsulm, jemi kapur në vështirësi”, ka thënë Rrahmani në SSK Kosova.

“Greqia bëri presion shumë lart dhe unë me Mirlindin ishim gjithmonë një kundër një. Nuk e kontrolluam topin shumë dhe ndoshta këtu ndikoi edhe presioni i madh që kishte ky takim”, tregoi ai.

“U ankova te gjyqtarët pasi fishekzjarret ishin shumë të rrezikshme, por kur po flisja me ta, erdhi trajneri grek dhe më shau. Iu ktheva menjëherë, duke i thënë se je trajner dhe nuk të takon të flasësh me këtë gjuhë”, u shpreh mbrojtësi nga Prishtina

Ndryshe, Kosova e mbyll muajin qershor me dy fitore dhe dy humbje në Ligën e Kombeve.