Ambasadori rus thotë se situata në Kosovë mund të çojë në gjakderdhje në tërë Ballkanin

E publikuar: 03/06/2023 16:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori rus në Serbi Alexander Botsan-Kharchenko tha sot se situata në Kosovë është e rrezikshme dhe se mund të çojë në gjakderdhje të re.

Sipas tij, ky konflikt mund të përhapet edhe në të paktën një pjesë të rajonit të Ballkanit.

“Kjo situatë është e rrezikshme, sepse mund të ketë një shpërthim edhe më të madh konflikti dhe ripërtëritje të gjakderdhjes në veri të Kosovës dhe kjo mund të çojë në përhapjen e tensioneve në të gjithë Ballkanin, ose të paktën në një pjesë të rajonit të Ballkanit”, tha Botsan-Kharchenko në një intervistë për mediumin rus “RT Balkan”, raporton Tanjug.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian dhe Perëndimi në tërësi gjithmonë tregojnë një qasje të njëanshme për zgjidhjen e problemeve.

“Vështirë se mund të gjesh ndonjë rast apo etapë për zgjidhjen e problemeve në ish-Jugosllavi, duke filluar nga viti 1991, kur Bashkimi Evropian kishte një qëndrim krejtësisht të paanshëm. Dhe aspirata për të mbështetur kundërshtarin e Serbisë ka qenë gjithmonë e pranishme, veçanërisht në zgjidhjen e problemit të Kosovës”, tha Botsan-Kharchenko, duke shtuar se Rusia mbështeti fillimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por se e njëjta nuk kishte iluzione dhe se BE-ja nuk luajti rolin e një ndërmjetësi të ndershëm.

Ai theksoi se marrëveshjet e arritura para më shumë se 10 viteve dhe mbi të gjitha formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kanë mbetur vetëm në letër.

“Sikur të kishte dëshirë nga një ndërmjetësues i tillë si Bashkimi Evropian, i cili mbështetet nga Amerika, shumë lehtë do ta bindnin Prishtinën që ta zbatonte atë që u nënshkrua. Është e qartë se nuk ka pasur një dëshirë të tillë, por ka pasur dëshirë që të nxisë Prishtinën që ta përdorë atë dokument vetëm si mbulesë për t’u përgatitur për vendosjen e kontrollit të plotë mbi veriun e Kosovës”, tha ambasadori rus në Beograd, transmeton Klankosova.tv.

Ai theksoi se nuk është e vërtetë që Prishtina është e vështirë për t’u disiplinuar, por se nuk ka fare presion mbi autoritetet atje dhe se sanksionet që po vuan Prishtina janë “hipokrizi dhe fariseizëm”.

“Në një situatë të tillë, regjimi i Prishtinës mund të bëjë çfarë t’i vijë në mendje dhe të mbrojë drejtpërdrejt vetëm interesat e veta. Dhe interesi i tyre sigurisht nuk është normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin dhe garantimi i sigurisë dhe jetës normale për serbët në veri, por vendosja e kontrollit të plotë mbi të gjithë territorin e krahinës autonome, duke përfshirë pjesët ku jetojnë serbët, dhe ky është qëllimi”, tha ambasadori rus.

Duke komentuar protestat e opozitës që po zhvillohen në Serbi, Botsan-Kharchenko tha se protesta të tilla nuk kanë ndodhur vetëm një herë, dhe se është një presion i dukshëm ndaj lidershipit të Serbisë, presidentit Vuçiq dhe qeverisë “në të gjitha frontet”.

“Fronti i parë është Kosova, i dyti është Beogradi ose anasjelltas. Qëllimi apo detyra e Perëndimit është ndryshimi i politikës së Serbisë, Perëndimit i duhen dy gjëra, pranimi apo përkrahja nga ana e Serbisë me sanksionet antiruse dhe sigurisht njohja e Kosovës”, tha diplomati rus.

Ai shtoi se Perëndimi nuk mund të pajtohet me faktin se Serbia është kundër sanksioneve, siç i quajti ai “anti-ruse” dhe prandaj nuk lejon që të përfundojë formimi i një barrierë antiruse në Evropën Lindore.

Njohja e pavarësisë së Kosovës është, siç thotë ai, përfundim i “projektit të Kosovës”, ndarje dhe dobësim i Serbisë.

“Për Perëndimin është e rëndësishme që, në situatën aktuale, duke marrë parasysh Ukrainën, të synojë të tregojë se gjithçka përfundoi në mënyrë paqësore dhe me një kompromis në çështjen e Kosovës, se Beogradi e njohu Kosovën dhe me njohjen e Kosovës, shkon edhe çështja se agresioni i NATO-s ishte i justifikuar. Perëndimi kërkon njohjen e Kosovës si justifikim për agresionin e vet, lëvizjet e veta, gjatë konfliktit në Kosovë dhe në përgjithësi në ish-Jugosllavi”, përfundoi ambasadori rus në Serbi, Botsan-Kharchenko.