Ambasadori britanik tregon se si qeveritarët ngacmuan një vajzë në rrugë

E publikuar: 26/08/2019 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka treguar se si ai kishte hasur në një rast tejet të pazakontë, kur një vajzë ishte ngacmuar nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Ai ka thënë në T7 se gjatë kohës sa kishte qenë duke ecur në rrugë kishte parë se si një veturë me targa 3Z ishte ndalur në rrugë dhe më pas kishte ngacmuar një vajzë.

“E pash para tri jave tu ecë në rrugë kalojë xhipi 3Z i qeverisë dhe e hap dritaren dhe e nguc një vajzë në rrugë dhe kjo gjë ka ndodhur”, ka treguar ai.

Ai më pas ka folur edhe për gratë e dhunuara gjatë luftës. Ka thënë se në Kosovë këto gra fatkeqësisht gjykohen përse janë përdhunuar ose ngacmuar seksualisht.

“Kur pyeten përse viktimat e dhunës seksuale nuk dalin dhe të flasin haptazi, fatkeqësisht konsiderohen fajtorë se pse janë dhunuar ose pse ka veshur ose çka ka veshur dhe sulmohen nga shqiptarët”.

“Qysh mund ta gjejnë guximin me dal vetëm sepse sulmuesit kanë qenë serbë. Çka është e rëndësishme është se kanë filluar të flasin për këtë gjë”, ka deklaruar ai.