Ceremonia e ndërrimit të komandës në prezencën e NATO’së në Kosovë (KFOR) që u zhvillua pikërisht në ditën kur Kuvendi pritej të votonte demarkacionin me Malin e Zi e Opozita organizoi protesta u zhvillua me shumë të ftuar. KFOR’i më 1 shtator 2016 e ftoi edhe politikanin kontrovers kosovar, Fuad Ramiqi.
Në ndërrimin e komandës në KFOR’it nga gjenerali Guglielmo Luigi Miglietta tek gjenerali Giovanni Fungo Ramiqi nuk dihet se kë e përfaqësonte, por dihet që Ramiqi ka qenë nismëtarë dhe drejtues për një kohë të gjatë i lëvizjes islamike të regjistruar edhe si parti, LISBA.
Së fundi Prokuroria Speciale njoftoi që të njëjtin e ka akuzuar për veprën penale “thirrje për rezistencë”, nga neni 411 par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Express.
I kontaktuar nga Express Skënder Musa, avokat i Fuad Ramiqit i ka thënë gazetës se ai është i bindur që Prokuroria nuk ka asnjë provë për atë që akuzohet Ramiqi dhe se ky i fundit as nuk ka bërë thirrje për rezistencë e as për thirrje kundër rendit kushtetues.
“I lejohet secilit që të ushtrojë besimin e tij në Kosovë”, tha Skënder Musa për Express.