Aktivistja shqiptare: Nuk bëhet agroturizmi me djathë serb dhe qumësht pluhur

E publikuar: 04/01/2023 09:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aktivistja Gerta Loku, deklaroi se nuk mund të bëhet agroturizëm duke përdorur djathë serb apo qumësht pluhur.

Në një emision në “Euronews Albania”, ku po diskutohej tema e turizmit dimëror, Loku tha se përpara se të financohen bujtinat, duhet të financohet bujqësia dhe blegtoria që i furnizojnë ato.

“Merr një fond të IPARD-it dhe thotë unë bëj agroturizëm. Nuk bëhet agroturizimi me djathë serb ose me qumësht pluhur. Agroturizmin janë ekonomitë e vogla rurale që e ushqejnë”, tha ajo.

Loku vijoi duke theksuar se bujqësia dhe blegtoria duhet të jenë në plan të parë, nëse synimi është të zhvillohet agroturizmi.

“Është një pikë e rëndësishme, investohet shumë në agroturizëm, por si mund ta bësh agroturizëm kur ti nuk mbron ushqimin që përdoret për agroturizëm? Si mund të japësh shumë fonde për agroturizmin, në një kohë kur për bujqësinë, për bagëtinë, mbjelljen e tokave, është diçka që kalon në plan të dytë. Këto duhet të jenë në plan të parë, bujqësia dhe blegtoria”, tha Loku.