Aleanca Kosova e Re(AKR) ka mohuar pretendimet në media për një koalicion të mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës(PDK) dhe ka shprehur se nuk do të bëjë asnjëherë koalicion me PDK-në.
Aleanca Kosova e Re, përgënjeshtron edhe njëherë shpifjet nga disa mediume të caktuara lidhur me Aleancën Kosova e Re dhe presidentin e saj, z.Behgjet Pacolli. AKR sqaron opinionin publik se do te garojë e vetme në zgjedhjet qendrore e komunale dhe asnjëherë nuk do të bëjë pazare politike në dem të qytetarëve të Kosovës.
AKR nuk ka zhvilluar dhe nuk do të zhvillojë asnjëherë diskutime për koalicione parazgjedhore. Çdo tendencë për prezantim ndryshe të realitetit është shpifje dhe manipulim.
Aleanca Kosova e Re, vlerëson se lajmet e publikuara ditëve të fundit vijnë si rezultat i zhvillimeve të fundit politike të partisë, ku dukshëm shihet intensiteti i rritjes së interesimit qytetarë për t’ju bashkuar Aleancës Kosova e Re.
Presidenti i AKR-së, z.Behgjet Pacolli, disa herë e ka bërë të qartë publikisht se ka vija të kuqe bashkëpunimi me të gjitha subjektet politike, për çfarë do lloj koalicioni parazgjedhor e sidomos me partitë parlamentare të këtij mandati.
AKR iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bëhen pjesë e ndryshimit të madh në këtë vend. Për zhvillim ekonomik dhe pa dhunë, thuhet në komunikatë.