AKP ndryshon modelin e privatizimit të ndërmarrjeve

E publikuar: 05/11/2017 20:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjencia Kosovare e Privatizimit pritet të nisë të aplikojë një model ndryshe të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Në këtë valë të shitjes që është emëruar si Vala alternative e shitjeve do të ketë në përbërje disa asete që AKP-ja po i konsideron strategjike dhe me hektarë të shumtë të tokës, raporton KTV.

Megjithëse hapësirat e mëdha ishin planifikuar të shiten përmes ligjit për investime strategjike, drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari thotë të ketë marrë bekimin e institucioneve që të vazhdojë me shitjen e tyre, sidomos në këtë kohë kur është rritur çmimi i ofertave për blerjen e aseteve.

Për përfaqësuesit e bizneseve, ky veprim dhe vendosja e kompetencave për investime në disa ministri e kanë bërë edhe më të paqartë funksionimin e këtij ligji.

Me ligjin për investimet strategjike, i cili ende nuk është shfrytëzuar për ndonjë projekt, bartëse kryesore e këtyre investimeve ishte caktuar Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve.