AKA-ja: Vendimi i Qeverisë për shkarkimin e Bordit, ndërhyrje në pavarësinë e Agjencisë

E publikuar: 26/09/2017 08:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, ka marrë vendim për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (Këshillit Shtetëror të Cilësisë – KSHC) dhe për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të kësaj agjencie.

Vendimi është marrë mbi bazën e një kërkese të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në një njoftim për media, MASHT-i ka theksuar se kryeministri ka kërkuar edhe fillimin e menjëhershëm të procedurave për zgjedhjen e Bordit të ri dhe drejtorin e AKA-së, shkruan sot Koha Ditore.

“Kryeministri Haradinaj këtë kërkesë e ka bërë duke e arsyetuar se procesi i akreditimit në arsimin e lartë është përcjellë me parregullsi serioze, ndërsa ka kërkuar nga ministri që procesi i ri të rezultojë me përzgjedhjen e njerëzve me ekspertizë të duhur në sektorin e arsimit, me kredenciale të larta etike dhe profesionale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).