Ahmeti e Sejdiu nuk janë dorëhequr nga Vetëvendosje

E publikuar: 11/12/2017 22:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një postim në profilin e tij në Facebook, Shpend Ahmeti, mund të konsiderohet përgjigje për lajmet që po qarkullojnë që ai dhe miku i tij, ish nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, kanë dhënë dorëheqje nga partia.

“Vetëvendosje!”, ka shkruar shkurt Shpend Ahmeti.

Ahmeti, më parë ka dalë nga mbledhja e Kryesisë së Vetëvendosjes, derisa ka thënë para gazetarëve se nuk do të ketë ndarje të Vetëvendosjes.

Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se dorëheqja e Aida Durgutit është e vetmja që ka ndodhur deri tash në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai, pas mbledhjes që ka përfunduar para pak çastesh, ka thënë se janë spekulime raportimet për dorëheqje të tjera në partinë e tij.

Aida Durguti, e cila përdori fjalë ofenduese ndaj Albin Kurtit në një komunikim të përbashkët me deputetët e Vetëvendosje, mbetet tash për tash e vetmja që dha dorëheqje nga partia.

Ishte fillimisht Koha.net dhe KTV që raportuan për përplasjen në Vetëvendosje, e cila më pas doli se ishte përplasje që po vazhdonte që prej një viti brenda së paku dy taboreve në këtë parti.