Ahmet Isufi ndanë pamje nga vendosja e pllakave të Shtëpive Bazë të UÇK-së të Zonës Operative të Karadakut

E publikuar: 28/11/2024 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i AAK-së në Gjilan, Ahmet Isufi njoftoi se Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës-Dega në Gjilan, duke vlerësuar kontributin e shumë familjeve atdhetare që shtëpitë e tyre i vunë në shërbim të luftës për liri, vendosi pllakat në pesë shtëpi, me mbishkrimin, Shtëpi Bazë e UÇK-së e Zonës Operative të Karadakut.

Pllakat u vendosën në shtëpinë e Bekim Pajazitit në Zhegoc, Naser Ahmetit në Verbicë të Zhegocit, Remzi Hajrullahut në Verbicë të Zhegocit, Nëna Stanë Gashi në Brus dhe Abdullah Gashi në Mramor.

“Kjo traditë duhet të vazhdojë, në mënyrë që të kuptohet se lufta e jonë ishte me përkrahje të gjerë popullore prandaj me shumë përpjekje e sakrificë e fituam atë dhe morrëm përkrahjen popujve liridashës.
Secili apo secila që ka kontribuar, në cilindo shteg apo në cilindo vend që ka lënë gjurmë lufta jonë, duhet të çmohet e vlerësohet që historia të flasë me vepra e mos të harrohet.
Gjithmonë duhet ta kemi parasysh se më shumë se fjalët, janë veprat ato që e lartësojnë kombin.
Gëzuar Festat e Nëntorit!” – shkroi Isufi, duke ia bashkangjitur shkrimit edhe disa fotografi nga ngarja.

Për ngjarjen njoftoi edhe luftëtari i lirisë dhe kryetar nderi i klubit politik “Afrim Zhitia”, Ismet Sylejmani.