Agonia e Srebrenicës – 21 vjet pas

E publikuar: 11/07/2016 10:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në qytetin e Srebrenicës, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që pasuan, ata vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

Ekzekutimet ishin mirë të planifikuara dhe ushtria serbe ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të fshehur të bëmat e saj. Derisa vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdon ende.

Sot, kur edhe shënohet 21-vjetori i masakrës, në qendrën përkujtimore Potoçari në Bosnje do të varrosen mbetjet e 127 viktimave, të identifikuara së voni.

Masakra, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si mizoria më e keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në vitin 2004, gjykata e Kombeve të Bashkuara që ka trajtuar krimet në ish-Jugosllavi, i ka emërtuar vrasjet në Srebrenicë si gjenocid.

Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar në muajin mars me 40 vjet burg për krime lufte në Srebrenicë, ndërsa ish-udhëheqësi ushtarak, Ratko Mlladiq, është ende në gjyq në Hagë.

Serbët e Bosnjës mohojnë se vrasjet kanë qenë gjenocid dhe lideri i tyre, Millorad Dodik, ka thënë se numri i viktimave është “gënjeshtër”.

Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë ka miratuar një rezolutë historike, me të cilën ka kërkuar falje për masakrën e Srebrenicës. Rezoluta thotë se Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë.

Në 21-vjetorin e masakrës, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se kujtimi i këtij krimi të tmerrshëm është i rëndësishëm, por “edhe më e rëndësishme është të parandalohet një gjë e tillë në të ardhmen”.

”Kujtimi i asaj që ka ndodhur në Srebrenicë duhet të forcojë vendosmërinë tonë që dallimet t’i kapërcejmë në mënyrë paqësore dhe duke respektuar dinjitetin e çdo personi, pavarësisht nga kombësia e tij, raca, gjinia apo feja”, ka thënë Kerry.

Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të veprojnë ngjashëm. (REL)