Agani: S’jam shkarkuar, ndoshta janë mbledhur për ta formuar një parti të re

E publikuar: 28/09/2016 22:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani ka mohuar të jetë shkarkuar nga pozita e tij si kryetar i kësaj partie.

Në një prononcim për “Indeksonline” ai ka thënë se Kuvendi i mbajtur sot është thjeshtë një tubim, ku individët ndoshta po mundohen të formojnë një subjekt të ri politik. Ndryshe, thotë ai, tubimi i sotëm nuk ka asnjë ndikim juridik a politik.

“Ky tubim sonte nuk është kurrfarë Kuvendi, ky është tubim i individëve të cilët ndoshta janë mbledhur për të formuar një subjekt të ri politik ose shoqëror por përfundimisht nuk ka kurrfarë ndërlidhje, ose ndikim juridik ose politik në Partinë e Drejtësisë”, është shprehur ai.

Në lidhje me raportimin në media se në krye të PD-së ka ardhur Sylejman Çerkezi, Agani ka thënë se në momentin që në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) të zyrtarizohet ndonjë parti mund të kenë bashkëpunim, përndryshe gjithçka tjetër është inekzistente.

“Nuk dua të komentoj tubimet zgjedhore të subjekteve tjera politike. Në atë moment që të zyrtarizohet një subjekt i ri politik në KQZ atëherë mund të realizojmë bashkëpunim të ndërsjellë, por për momentin për mua është inekzistent”, ka thënë tutje Agani për “Indeksonline”.

Agani ka shtuar se atë nuk mund ta shkarkojnë grupet, sepse si kryetar e ka emëruar Kuvendi Zgjedhor i Partisë për disa herë radhazi dhe jo grupet.