Afër dështimit sistemi i drejtësisë në mbrojtjen e fëmijëve

E publikuar: 25/02/2020 13:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë-KOMF, ka shprehur shqetësimet lidhur me rastet ku fëmijët janë viktima të formave të abuzimit dhe të dhunës seksuale.

Sipas këtij koalicioni të organizatave, sistemi i drejtësisë për mbrojtjen e fëmijëve për dhunën fizike e seksuale po dështon, duke kërkuar kështu që qasja institucionale të jetë shumë efektive në mënyrë që mos të ketë vrasje dhe viktima tjera të abuzimit.

KOMF i ka dërguar një kërkesë për veprim ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, kryeprokurorit të shtetit, Aleksander Lumezi dhe kryetarëve të komunës së Fushë Kosovës e Prishtinës.

Donjeta Kelmendi nga koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në një konferencë për media, tha se janë të shokuar sesi institucionet përgjegjëse nuk reflektojnë aspak në ngritje të nivelit të përgjegjësisë.

“Si koalicion jemi të shokuar për faktin që raste të tilla siç është rasti i tragjik i fëmijës nga Fushë Kosova i cili përfundoi me vrasjen makabre të tij nuk ka ndikuar aspak në reflektim as në mobilizim e ngritje të nivelit të përgjegjësisë së gjithë sistemit të mbrojtjes së fëmijës, e sidomos prokurorisë”, tha Kelmendi, raporton KP.

Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve kërkoi që të ketë përgjegjësi penale nga të gjitha palët e sistemit mbrojtës që dështuan të ushtrojnë obligimin ligjor të mbrojtjes së fëmijës nga Fushë Kosova, duke shqiptuar dënimet e merituara.