Abdixhiku: Vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme

E publikuar: 26/10/2025 09:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet për zgjedhjen e qeverisë së re, ka thënë se “sot do të bie perdja e madhe e mashtrimit të Kurtit”. Sipas tij, i njëjti në seancën e sotme duhet ta dëshmojë se i ka shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh.

Lideri i LDK-së tha se punët e mira nuk duhet të lihen për fund, andaj në seancën e sotme pret vetëm një shou populist.

Duke folur për mundësinë që ndonjë prej deputetëve të LDK-së të votojë qeverinë Kurti III, ai tha se të njëjtit janë të lirë të votojnë si mendojnë, mirëpo, në bazë të deklaratave të tyre, ata nuk votojnë pa një marrëveshje politike.

“Sot bie perdja e madhe e mashtrimit tetëmujor. Në këtë mashtrim na është thënë vazhdimisht se numrat për qeveri janë, ka shumicë dhe se po bllokohet vullneti i popullit të Kosovës. Ja tani është mundësia për ta parë të vërtetën para popullit të Kosovës. Sot nuk votojmë një ligj të zakonshëm, por mandatari duhet të prezantojë shumicën që është thelbi i demokracisë kosovare. Mbi këtë shumicë do të duhej të formoheshin institucionet e Kosovës. Për të formuar këtë shumicë, ai që del i pari në zgjedhje duhet të bënte përpjekje me çdo parti politike për të bërë një shumicë. Më së paku do të duhej ta linte këtë për ditën e fundit. Dita e fundit është shou populist, siç është e zakonshme deri tani… Deputetët e LDK-së janë të lirë të votojnë si mendojnë. Deri tani kanë deklaruar secili prej tyre se pa marrëveshje politike s’ka kuptim të jetë shumica”, tha ai.

Sa i përket mundësisë për ta formuar qeverinë partitë e ish-opozitës, Abdixhiku tha se në Kosovë s’ka shumicë parlamentare, andaj vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Abdixhiku: Vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Nuk ka parti të dytë dhe të tretë në çështjen e raundit të dytë. Mundet prapë edhe i pari të kërkojë sërish mandatarin për dhjetë ditët e ardhshme. S’ka shumicë në Kosovë. Sipas të gjitha gjasave, po shkojmë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme,” shtoi ai.

Sa i përket një takimi me kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ai tha se do të zhvillohet nesër, por është më shumë miqësor dhe konsultativ sesa për çështje të nivelit qendror.