Abazoviq: Mali i Zi dhe Shqipëria, vende mike me pikëpamje identike për të ardhmen (VIDEO)

E publikuar: 22/02/2023 23:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Rama-Abazoviq

Kryeministri me detyrë teknike në qeverinë e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, po e pret me padurim mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së tij dhe asaj të Shqipërisë, e cila do të mbahet të hënën e 27 janarit.

Ai tha se Mali i Zi dhe Shqipëria janë vende mike dhe ndajnë pikëpamje identike për të ardhmen.

“Mali i Zi dhe Shqipëria janë vende mike që ndajnë pikëpamje identike për të ardhmen”.

“Mezi pres mbledhjen e ardhshme të përbashkët të qeverive ku do nënshkruhen marrëveshje të shumta”, tha Abazoviqi përmes një postimi në Facebook.

Në këtë postim, ai ka shpërndarë edhe një video-deklaratë të tij në lidhje me incidentin që ndodhi në pikën kufitare mes dy vendeve të sipërpërmendura, ku policë malazezë sulmuan një qytetar shqiptar, njëherësh zyrtar i Partisë së Lirisë.

“Policët që kanë probleme të ndryshme, nuk duhet të jenë në shërbim. Personat që tejkalojnë autoritetin e tyre duhet të gjobiten në mënyrë adekuate. Dhe pres ashtu të ndodhë edhe me shkeljet ligjore të cilat ndokush mund t’i kryejë. Departamenti i policisë do të ketë ndryshime në vazhdimësi”, tha Abazoviqi.

Ndërkaq, gjatë ditës, ai ka thënë se nuk është treguar ngjarja e plotë përmes videove të publikuara, pasi tha se mund të ketë pasur ndonjë kundërvajtje apo diçka tjetër para se policia ta sulmonte qytetarin shqiptar.

Kujtojmë se për këtë ngjarje janë arrestuar dy policë të Malit të Zi.