Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përmes Departamentit për Ujë dhe Politika Mjedisore, ka propozuar krijimin e një Bordi të Përbashkët Profesional për të gjitha Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU).
Përmes një komunikate për media, AAK ka thënë se ky hap përfaqëson një qasje të re dhe më të integruar për të adresuar sfidat aktuale në menaxhimin e burimeve ujore.
“Ky hap përfaqëson një qasje të re dhe më të integruar për të adresuar sfidat aktuale në menaxhimin e burimeve ujore, duke ofruar një alternativë më efektive dhe të qëndrueshme krahasuar me modelin aktual me shtatë borde të pavarura”, thuhet në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Një Bord i Përbashkët Profesional: Zgjidhja për Sfidat e Menaxhimit të KRU-ve në Kosovë
Në përpjekje për të përmirësuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e sektorit të ujit në Kosovë, Aleanca për Ardhmërin e Kosovës përmes Departamentit për Ujë dhe Politika Mjedisore ka propozuar krijimin e një Bordi të Përbashkët Profesional për të gjitha Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU). Ky hap përfaqëson një qasje të re dhe më të integruar për të adresuar sfidat aktuale në menaxhimin e burimeve ujore, duke ofruar një alternativë më efektive dhe të qëndrueshme krahasuar me modelin aktual me shtatë borde të pavarura.
Nevoja dhe arsyeshmëria e krijimit të bordit të përbashkët
Aktualisht, secila nga shtatë KRU-të në Kosovë operon me një bord të pavarur, shpesh të përbërë nga individë me përvojë të kufizuar në sektorin e ujit dhe menaxhimin strategjik. Kjo qasje ka rezultuar në:
- Mosarritjen e objektivave kryesore të performancës: Problemet e vazhdueshme që kanë shoqëruar KRU-të kanë ndikuar në dështimin për të arritur rezultate të qëndrueshme dhe për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe institucioneve mbikëqyrëse.
- Fragmentim të politikave dhe strategjive: Mungesa e një qasjeje të unifikuar ka çuar në zgjidhje të izoluara, shpesh të paefektshme dhe me kosto të larta, për të adresuar sfidat e përbashkëta që prekin të gjitha rajonet.
- Vendimmarrje të paefektshme dhe të fragmentuar: Strategjitë dhe investimet shpesh dublohen ose mungon koordinimi i duhur, duke rezultuar në një shpërndarje të pabarabartë të burimeve dhe ulje të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
- Kosto të larta administrative: Funksionimi i shtatë bordeve të pavarura krijon shtatë struktura të veçanta administrative, gjë që rrit ndjeshëm shpenzimet operative dhe ul efikasitetin në menaxhimin e burimeve.
Përballë këtyre sfidave, krijimi i një bordi të përbashkët profesional ofron një zgjidhje të mirëorganizuar dhe të bazuar në praktikat më të mira. Ky model jo vetëm që do të ndihmojë në tejkalimin e fragmentimit dhe dobësive aktuale, por gjithashtu do të sigurojë një përdorim më efikas dhe të drejtë të burimeve financiare dhe njerëzore, duke garantuar përmirësime të prekshme në sektorin e ujit.
Benefitet e një bordi të përbashkët profesional
- Reduktimi i kostove ekonomike
Krahasuar me modelin aktual me shtatë borde të pavarura, krijimi i një strukture të përbashkët do të reduktojë ndjeshëm shpenzimet administrative. Kjo nismë do të thjeshtojë proceset dhe do të kursejë fonde që mund të ridrejtohen për përmirësimin e shërbimeve dhe realizimin e projekteve infrastrukturore.
- Përmirësimi i koordinimit dhe harmonizimi i politikave
Një bord i përbashkët do të mundësojë unifikimin e strategjive dhe standardizimin e praktikave më të mira në sektorin e ujit. Kjo do të sjellë vendimmarrje të centralizuar dhe të shpejtë për çështje që prekin të gjitha KRU-të, si furnizimi me ujë, trajtimi i ujërave të ndotura dhe investimet në infrastrukturë.
- Efikasitet më i lartë në menaxhimin e burimeve
Një bord i përbashkët do të hartojë dhe zbatojë një plan të unifikuar për investime strategjike, duke siguruar që projektet prioritare, si ndërtimi i akumulacioneve të reja të ujit dhe modernizimi i impianteve të trajtimit të ujit, të marrin mbështetjen e nevojshme financiare dhe logjistike.
- Rritja e kapaciteteve profesionale
Me një strukturë të unifikuar, të gjitha KRU-të do të përfitojnë nga trajnime dhe programe zhvillimi profesional të standardizuara. Kjo do të sigurojë që stafi teknik dhe menaxherial të ketë aftësitë e duhura për të përmbushur sfidat e sektorit, duke promovuar teknologji dhe praktika moderne.
- Transparencë dhe llogaridhënie më e madhe
Një bord i përbashkët do të krijojë një mekanizëm të centralizuar për monitorimin e performancës së KRU-ve, duke forcuar mbikëqyrjen nga Autoriteti Rregullator i Ujësjellësve dhe Kanalizimeve (ARRU) dhe institucionet e tjera përkatëse. Kjo do të sigurojë përdorimin më të efektshëm të burimeve financiare dhe raportim të saktë e të aksesueshëm.
Hapat e domosdoshëm për implementim
Për të realizuar këtë reformë, është e nevojshme të amendohen ligjet aktuale për ndërmarrjet publike dhe sektorin e ujit. Legjislacioni i ri duhet të:
- Sigurojë përbërje profesionale dhe të paanshme për bordin e përbashkët, me ekspertë të fushës.
- Garantojë autonominë dhe pavarësinë nga ndikimet politike për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes.
- Promovojë qasje të integruar dhe afatgjatë për zhvillimin e sektorit të ujit.
Krijimi i një bordi të përbashkët profesional është një domosdoshmëri për të adresuar sfidat e sektorit të ujit në Kosovë. Kjo qasje do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve, do të promovojë zhvillim ekonomik dhe do të sigurojë menaxhim më të mirë të burimeve ujore për të gjitha rajonet e vendit.