Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka hedhur poshtë mundësinë se mundë të bëhet pjesë e koalicionit në Qeverinë e Kosovës dhe ka mohuar se ka bisedime për një qeverisje gjithëpërfshirëse.
Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se për një gjë të tillë as që ka pasur bisedime.
“Gjithmonë kur gjërat shkojnë keq, dikush e hap çështjen e koalicioneve dhe, çuditërisht edhe përfshirjen e AAK-së në këto koalicione imagjinare.
“Nuk ka asgjë të vërtetë nga kjo, dhe as që ka pasur ide ose biseda për një gjë të tillë. Kjo është përpjekje për ta shpërqendruar vëmendjen e opinionit publik nga çështjet problemore dhe jetike për vendin, siç janë krimi i organizuar dhe korrupsioni, dështimi i qeverisjes në politikat ekonomike dhe politikën e jashtme, duke përfshirë edhe proceset integruese të Kosovës në BE, si dhe situata e krijuar nga pafuqia e Qeverisë për t’i zgjidhur dy temat e karakterit shtetëror, siç është Demarkacioni dhe Asociacioni.” tha Nitaj, për Express.
Ai theksoi se çdo përpjekje për krijimin e një koalicioni të ri, është përpjekje për t’i justifikuar dështimet e këtij mandati qeverisës duke shtuar më tej se nuk është e jashtëzakonshme nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.