Në Gjykatën Speciale të Hagës ka nisur para disa ditësh gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, dhe Rexhep Selimi.
Ndërsa sytë e shqiptarëve janë sërish në Hagë, është ngritur sërish pyetja: A mund të shmangej ngritja e Gjykatës Speciale?
I ftuar në “Intervistë”, Adri Nurellari, ish-këshilltar i Thaçit dhe Veselit shpjegon se presioni në atë kohë ishte tepër i madh si nga brenda vendit, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.
Nurellari kujton se ndërsa qeveria kishte për të votuar Gjykatën në qershor dhe votimi po vonohej, pati një “ngrirje” të procesit të anëtarësimit në UNESCO.
Ai përmend një “perde ftohtësie” nga ndërkombëtarët që sipas Nurellarit ishte një kërcënim i vërtetë.
“Nga një anë ishte rreziku për të dëmtuar Kosovën dhe për të lënë përshtypjen sikur po fsheh diçka dhe nga ana tjetër ishte edhe presioni i jashtëzakonshëm i brendshëm,” u shpreh ai.
Nurellari shpjegon se ngritja e gjykatës ishte një akt i jashtëzakonshëm sakrifice që rrëzoi edhe disa pretendime që ishin ngritur nga faktorë të brendshëm aso kohe.
“U rrëzua pretendimi se këta po e bëjnë gjykatën por nuk do të jenë vetë. Ose kanë bërë dialogun sepse po rrezikoheshin nga gjykata. Kjo është më e diskredituara, gjykata e pengoi Thaçin për dialogun. Aktakuza u dha kur Thaci po shkonte në SHBA“, ka deklaruar ai në a2news.
Duke u kthyer në zanafillën e çështjes, Nurellari theksoi se vigjilenca pas shpalljes së pavarësisë duhej të kishte qenë e lartë pasi pikërisht në atë kohë ndodhen ngjarje që do të rezultonin me pasoja në të ardhmen.
Më konkretisht, ai i referohet botimit të librit të Carla Del Ponte-s në prill të vitit 2008 dhe për raportin e Dick Marty-t.
“Dalldia dhe neglizhenca jonë në kuadër të festës bënë që të na dukeshin si çështje periferike.”