Garë dhe fitore e “çmendur” e Rossit në Assen

E publikuar: 27/06/2015 17:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Valentino Rossi interpreton në mënyrë të shkëlqyer simfominë e nëntë në Universitetin e Motociklizmit. Në pistën historike të Assen-it 9 herë kampioni i botës siguroi fitoren e nëntë në karrierë në të gjitha kategoritë pas një dueli drithërues me kampionin në fuqi Marc Marquez. Ky sukses në krahun tjetër mund të jetë një sinjal tepër pozitiv për Doktorin pasi 36-vjecari italian kishte pothuajse 6 vjet që nuk fitonte një garë duke u nisur nga pole position, që pas triumfit në Cmimin e Madh të San Marinos në 2009, praktikisht vitin e titullit të tij të fundit në Klasin Mbretëror. Në pistën e famshme të Cmimit të Madh të Holandës, që është pagëzuar ndryshe edhe si Katedralja e Motociklizmit Rossi startoi nga vendi i parë duke tërhequr me vete 4 herë kampionin e botës Marc Marquez dhe të dy nisën një duel të gjatë nervash që zgjati deri në kthesën e 21 të xhiros së fundit të garës. Nën qiellin e mbyllur të Assen-it Rossi ruajti për pjesën më të madhe kryesimin, deri në xhiron e 20 kur numri 93 i Honda-s hyri në parakalim duke rrëmbyer vendin e parë. 22-vjecari spanjoll komandoi për katër xhiro por Valentino reagoi më së miri duke rimarrë kryesimin dhe gjërat vazhduan kështu deri në xhiron përmbyllëse. Kurioz është fakti që deri në “chicane”-in e fundit diferenca më e madhe ndërmjet tyre ishte thjesht 0.6″, sidoqoftë në pjesën përmbyllëse pikërisht në kthesën e parafundit Marquez u fut në parakalim duke marrë anën e brendshme. Në mënyrë të paevitueshme pati një kontakt të lehtë prej të cilit Rossi përfundoi jashtë pistës, gjithsesi teksa Marquez u mundua të mbajë motorin në trajektore Valentino përfundoi jashtë saj duke i rënë për shkurt. Ndonëse në vështirësi Doktori hapi gazin në maksimum duke përfunduar garën i pari me 1.2″ diferencë me pilotin iberik. Në mënyrë të kuptueshme manovra e numrit 46 solli menjëherë reagimin e drejtuesve të skuadrës Repsol Honda, megjithatë komisarët në Assen nuk e morrën parasysh anikimimin dhe e konsideruan atë veprim të Rossit si incident të zakonshëm gare. Podiumi u kompletua nga piloti tjetër i Yamaha-s Jorge Lorenzo, që në Holandë u mundua thjesht të limitojë dëmet. Ndonëse u nis nga pozicioni i tetë në fund të xhiros së parë piloti nga Mallorca e pa veten në vendin e tretë, sidoqoftë 28-vjecari spanjoll pati probleme me konsumimin e gomës së parë. Në gjysmën e garës Jorge pati 4″ diferencë me kreun ndërsa në fund numri 99 që vinte nga katër fitore radhazi e mbylli aventurën e tij me plot 15″ diferencë me shokun e tij të skuadrës. Pas tij me radhë u pozicionuan Andrea Iannone, Pol Espargaro, Cal Crutchloë dhe Bradley Smith, ndërkaq Dani Pedrosa i cili garoi me dorën të dëmtuar për shkak të rrëzimit të mëngjesit në “ëarm up” u rendit në vendin e tetë me 25″ vonesë. Për Rossi-n kjo ishte fitorja e tretë e sezonit dhe e para që nga Cmimi i Madh i Argjentinës, ndërkaq Doktori përvecse regjistroi suksesin e 111 në karrierë siguroi gjithashtu edhe podiumin e 12 rresht në Klasin Mbretëror. Në klasifikimin e përgjithshëm Valentino fiton plot 9 pikë nga shoku i ekipit duke u shkëputur tashmë me 10 pikë nga Jorge Lorenzo, ndërsa Marquez mbetet i distancuar plot 74 pikë diferencë larg Rossi-t. Gara e ardhshme që praktikisht do të mbyllë pjesën e parë të sezonit do të jetë ajo e Cmimit të Madh të Gjermanisë, që do të zhvillohet pas dy javësh në Sachsenring.