Nga një korriku, mërgimtarët të cilët do të vijnë në Kosovë për pushime do të paguajnë 50 për qind më pak tarifat e sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë për të gjitha kategoritë e mjeteve motorike.
Këtë vendim, ditë më parë e ka aprovuar Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK).
Sigurimi kufitar i auto-përgjegjësisë është sigurim i cili është i obliguar me ligj për të gjitha mjetet motorike me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Arsyet për blerjen e këtij sigurimi janë se Republika e Kosovës nuk është anëtare e Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër, dhe si rrjedhojë, asnjë karton i gjelbër, i cilitdo shtet në botë, nuk vlen në Republikën e Kosovës, përveç Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë, shtete me të cilat Kosova ka nënshkruar memorandum të mirëkuptimit për njohje reciproke të sigurimeve.
Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike dyshojnë në qëndrueshmërinë ligjore të këtij vendimi, pasi sipas tyre, jo të gjitha kompanitë e sigurimeve kanë qenë të pajtuara me uljen e tarifave.
Sidoqoftë, në bazë ligjore për të marrë një vendim të tillë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, duhet të marrë një kërkesë për uljen e tarifave kufitare, nga kompanitë e sigurimeve që veprojnë në Kosovë.
Një kërkesë të tillë e ka bërë Rrahim Pacolli, kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Byros Kosovare të Sigurimeve.
Por, vet Pacolli në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, pranon se 10 kompani të sigurimeve nuk janë pajtuar me propozimin për uljen e tarifave, kurse vetëm dy kanë qenë pro këtij propozimi.
Megjithatë, Pacolli, i cili është udhëheqës i kompanisë së sigurimeve “Siguria”, konsideron se ky është një vendim i qëlluar.
“Dhjetë kompani kanë qenë kundër, sepse këta mendojnë ndryshe dhe unë kalkulimet e tyre i kam problem t’i di. Por, kompania “Insig” na ka përkrahur, si dhe kompania “Siguria”. Me këto tarifa vitin e kaluar janë dëmtuar shumë bashkë-atdhetarët dhe është dëmtuar buxheti i shtetit”.
“Ata njerëz të cilët kanë ardhur në Kosovë, ata nuk shpenzojnë vetëm 30 euro sa ka qenë tarifa në kufi, por ata i harxhojnë edhe mbi 600 euro sa qëndrojnë në Kosovë”, tha Pacolli.
Në një përgjigjje përmes postës elektronike, zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, thonë se vendimi është marrë nga BQK-ja, pasi që Asamblea nuk ka arritur që të marrë vendim dhe të sjellë propozimin për uljen e tarifave.
BQK-ja, thuhet në përgjigje, për uljen e tarifave të sigurimeve kufitare është bazuar në Ligjin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto-përgjegjësia.
Ibrahim Rexhepi, ekspert për çështje ekonomike, duke konsideruar vendimin si lehtësim financiar për mërgimtarët, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, dyshon në qëndrueshmërinë ligjore të këtij vendimi.
“Ky problem e ka edhe prapavijën tjetër. Kush e merr rrezikun në rast se bëhet kompensim në bazë të tarifës. A janë kompanitë e sigurimeve apo BQK-ja që marrin një veprim të tillë, i cili duhet të analizohet dhe trajtohet a ka qëndrueshmëri ligjore”.
“Kompanitë e sigurimeve janë kompani private, kanë edhe përgjegjësinë publike dhe sociale, por megjithatë në kushtet e tregut të lirë, ato vetvetiu përmes konkurrencës duhet të rregullojnë këtë çështje”, shprehet Rexhepi.
Profesori në Universitetin e Prishtinës, Ibish Mazreku, ka punuar në sektorin e sigurimeve në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Mazreku tregon se nëse zvogëlohen limitet e përgjegjësisë, duhet të ndryshohet edhe ligji përkatës.
“Po të zvogëlohen limitet e përgjegjësisë, duhet të ketë ndryshime edhe në Ligjin për Auto-përgjegjësinë e kështu më radhë. Do të thotë, është një proces i gjatë që duhet të shkojë në harmoni”.
“Ulja e tarifave të tilla i ka edhe pasojat e veta në pagesën e dëmeve edhe në të ardhmen. Zvogëlimi i primit i zvogëlon edhe fondet për pagesën e dëmeve, nëse nuk është i bazuar në analizë të mirëfilltë paraprake prej profesionistëve të kësaj fushe“, ka thënë Mazreku.
Sidoqoftë, ulja e tarifave apo eliminimi i tyre ka qenë kërkesë e kahmotshme e mërgimtarëve.
Elbasan Morina, udhëheqës i organizatës joqeveritare “Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim”, organizatë kjo që ka përgatitur disa projekte për diasporën, thotë se këto tarifa nuk duhet të aplikohen fare.
”Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës është i mirëpritur, por nuk është i plotë sepse nuk realizon pritjet e diasporës në këtë aspekt. Sigurisht që kërkohet që taksa të largohet komplet, pasi një gjë e tillë është e mundshme për të gjitha vendet ku diaspora jeton dhe vepron, por aplikohet vetëm me rastin e vizitave në Kosovë”, tha Morina
Sigurimi kufitar i mbulon të gjitha dëmet ndaj palëve të treta, të cilat shkaktohen nga pronarët e mjeteve motorike me tabela të huaja që kanë sigurim të vlefshëm kufitar, raporton rel.
Ky sigurim, nuk i mbulon dëmet e shkaktuara në automjetin e shkaktarit të dëmit, dëmet e shkaktuara nga personat e panjohur, dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, si dhe dëmet e shkaktuara nga vetë poseduesi i këtij sigurimi, vetërrokullisja apo nga kafshët në rrugë.