Taylor Swift i ka shkruar një letër kompanisë Apple lidhur me politikat e shërbimit muzikor iTunes, veçanërisht lidhur me shërbimin e ri të muzikës që Apple do të lançojë së shpejti.
Në letrën e publikuar në llogarinë personale Tumblr të saj, Swift shpjegon se përse nuk do të lejojë shfaqjen e albumit të ri “’1989” tek shërbimi iTunes. Ajo përmendi se Apple nuk i ka paguar artistët gjatë tre muajve të parë të lancimit të shërbimit.
Swift tha gjithashtu se njerëzit në industrinë e muzikës janë shumë të pakënaqur me këtë shërbim, por kanë frikë të flasin publikisht “sepse ne e admirojmë dhe e respektojmë shumë Apple-in.” Ajo e mbyll letrën e saj me fjalët “Ne nuk ju kërkojmë iPhone falas. Ju lutem mos na kërkoni neve që t’ju ofrojmë muzikën tonë pa asnjë shpërblim.”
Artistët paguhen sipas transmetimeve të këngëve të tyre në këto shërbime. Nëse Apple po ofron falas këto shërbime, duhet që të rimbursojë artistët për këto tre muaj, gjë që ato nuk e kanë bërë.
Nuk u desh shumë kohë që ky postim të përhapej në të gjithë rrjetet sociale. Apple ndërmori menjëherë masa sapo pa këtë postim. Eddy Cue, zëvendës presidenti i Apple-it, e telefonoi personalisht këngëtaren.
Gjatë një interviste të dhënë për Billboard ai tha, “Kur u zgjova në mëngjes dhe pashë atë që kishte shkruar Taylor, mendova që duhet të bëjmë një ndryshim. Prandaj vendosëm që duhet të paguajmë artistët gjatë periudhës së testimit të shërbimit.” Ai konfirmoi pastaj se Apple do të paguajë artistët për tre muajt e parë të lançimit të shërbimit, dhe se nuk e kishin pasur asnjëherë në plan që të mos shpërblenin artistët.
Swift më vonë shkroi në llogarinë e saj në Twitter “E gëzuar dhe e lirë”, por nuk konfirmoi nëse do të shfaqë albumin e saj tek shërbimi iTunes.