Shqipëria, ndryshon 50% të mbrojtjes ndaj Francës

E publikuar: 12/06/2015 13:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pavarësisht se mungon zyrtarizimi duhet të kristalizohet formacioni i kombëtares Shqiptare për miqësoren e luksit me Francën. De Biasi ashtu si gjithmonë nuk preferon të bëjë publike 11 titullarët, por nga ajo që u pa në testin e së Mërkurës ndaj Akademisë së Futbollit U 19 mund të kuptohet se kush do të jetë formacioni i parë në sfidën e së Shtunës ndaj “gjelave”. Sigurisht që planet i prish deri diku mungesa e Ledian Memushaj në seancat stërvitore të javës, cka mbetet dhe e vetmja dilemë për formacionin.

Në portë nuk ka dyshime pasi titullari i padiskutueshëm është Etrit Berisha. Në krahasim me sfidën e 29 Marsit ndaj Armenisë mbrojtja ndryshon në masën 50%. Kështu konfirmohen Elseid Hysaj në të djtathtë dhe Lorik Cana në qendër. Risitë janë Arlind Ajeti që i bashkohet kapitenit në qendër duke zëvendësuar të dëmtuarin Mërgim Mavraj dhe Naser Aliji si mbrojtës i majtë që zëvendëson Ansi Agollin.

Edhe mesfusha ka pësuar ndryshime duke parë mungesat e shumta në këtë repart. Kështu në qendër të saj pritet të jetë Migjen Basha që nuk luan me kombëtaren që nga 10 Shtatori i vitit 2013 në përballjen eliminatore për Kupën e Botës Brazil 2014 ndaj Islandës. Përkrahë tij pritet të aktivizohen Andi Lila në të djathtë dhe Ergys Kace në të majtë. Mesfushori i Paokut për momentin duket në avantazh ndaj Ledian Memushaj. Ndërkohë në krahë të mesfushës dhe pranë sulmuesit të vetëm Sokol Cikalleshi pritet të jenë Odise Roshi dhe Ermir Lenjani të cilët pritet të kryejnë një volum të madh si në aspektin mbrojtës ashtu edhe në atë sulmues.

Berisha

Hysaj Cana Ajeti Aliji

Lila Basha Kace

Roshi Lenjani

Cikalleshi