BQK, ka njoftuar se depozitat në sektorin bankar në mars 2015 arritën vlerën 2.57 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 5.9 për qind, por në vitin 2014, kishte rritje prej 7.1 për qind.
“Faktori kryesor që mund të ketë ndikuar në ngadalësimin e rritjes së depozitave mund të jetë rënia e theksuar e normës së interesit në depozita që po karakterizon sektorin bankar. Ndikim në ngadalësimin e rritjes së depozitave mund të ketë pasur edhe rritja e emigrimit nga Kosova në muajt e parë të vitit 2015. Struktura e depozitave në sektorin bankar vazhdon të dominohet nga depozitat e ekonomive familjare, të cilat përbëjnë 74. 0 për qind të gjithsej depozitave”, është thënë në raportin e Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për vlerësimin tremujor të ekonomisë.
Sipas BQK-së, kategoria e dytë për nga pesha në strukturë është ajo e depozitave të ndërmarrjeve me pjesëmarrje prej 20.3 për qind në gjithsej depozitat.