Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka takuar të enjten ekipin e Komunës së Gjilanit, i cili është duke punuar në projektin “Valorizmi i zejeve tradicionale dhe potencialet e ekonomisë sociale për komunat Çair dhe Gjilan”.
Kryetari Haziri është njoftuar nga koordinatorja e këtij projekti të bashkëpunimit ndërkufitar, Gëzime Idrizi – Ismaili, lidhur me ecurinë sipas dinamikës së paraparë dhe progresit në ndihmën e dhënë për zejtarët e komunës së Gjilanit.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se ky projekt, i financuar nga Komisioni Europian, është një e arritur e madhe e Komunës sepse për herë të parë po ndihmohen zejet tradicionale për funksionimin sa më të suksesshëm të tyre.
Objektivi i përgjithshëm i projektit është kontributi në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në zonën ndërkufitare përmes mbështetjes për degët tradicionale dhe sipërmarrjes sociale.