1 javë pas zyrtarizimit të titullit të tretë rresht në Francë, Paris Saint Germain transformohet në një kantier ndërtimi. Të pakët janë emrat e sigurt edhe për sezonin e ardhshëm sepse drejtuesit kërkojnë një grup që të ketë sukses edhe në Europë. Në krye të listës së largimeve të mundshme qëndron gjigandi suedez, Zlatan Ibrahimovic edhe pse i mungojnë vetëm pak gola për të barazuar Pauletën me 109, i cili mban rekordin e rrjetave të realizuara me këtë fanellë. 106 realizime në tre sezone janë një shifër e frikshme por as vazhdimësia përpara portës nuk ka ndikuar në vendimin e lojtarit për t’u larguar nga Ligue 1.
Shkaku kryesor është fakti që në dhomat e zhveshjes ai nuk arrin të bëjë më ligjin pasi kapiteni Thiago Silva ka marrë në dorë situatën. Për suedezin mbetet edhe një vit kontratë dhe sezoni i fundit mund të shërbejë thjesht sa për të thyer rekordin. Një tjetër personazh që nuk arrin të përtypë suedezi është edhe David Luiz, i cili mbetet një nga të preferuarit e presidentit Al Khelaifi. Me këtë të fundit, marrëdhënia e Ibrahimovic pësoi një krisje të thellë pas ofendimit që i bëri shtatlarti arbitrit në ndeshjen kundër Bordeaux.
Problemi tjetër i madh për të është edhe Edinson Cavani, i cili me kalimin e muajve ka fituar një hapësirë më të madhe në skemat e Blanc që tashmë ka dritën jeshile për të vepruar me dorë të hekurt. Edhe pse largimi i Ibrahimovic është vetëm çështje kohe, Paris Saint Germain nuk ka ndërmend të rrijë duarkryq në merkato. Di Maria dhe Pogba mbeten në krye të listës së preferencave edhe pse juventintini mbetet një mollë e ndaluar për momentin pasi kërkesat e tij për të përfituar një pagë faraonike nuk i kanë pëlqyer aspak presidentit.