Andre Schlosser, zdrukthëtari 46 vjeçar nga Nienborstel, në Gjermani, i ka harxhuar 4 mijë orë pune për ta krijuar motoçikletën e tij nga druri.
Yamaha FZR 600R Aral Cup tash është gati, kurse secila pjesë e tij është punëdore.
Kjo ide i erdhi pas fjalosjes me gruan e tij, transmeton Klan Kosova.
“Dëshiroja ta vendosja motoçikletën time në dhomën e ditës, pasi nuk po e vozitja më”.
“Por, gruaja as që donte të dëgjonte”.
Në fund, një kopje e drunjtë e motoçikletës u pa si kompromis, edhe pse gruaja nuk besonte se Andre do ta arrinte qëllimin.
Pasuan vite të punës në garazh. Pjesët që nuk dilnin si duhej përfundonin në zjarrin e kaminit.
“Shumë pjesë i kam krijuar nga 2 – 3 herë”.
Edhe siguresat janë nga druri.
“Zinxhiri ishte më i vështiri, i kishte 430 pjesë”.
Motoçikleta origjinale peshon 160 kilogramë, kurse kopja e drurit 100 kilogramë.
“Tash nuk do të mund ta lë në dhomë. Ndoshta do ta dërgoj në muze”.
“Dua që ta shohin njerëzit”.