Cakolli: Haxhiu ka afat 10 ditë për të caktuar datën e zgjedhjeve

E publikuar: 29/04/2026 12:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se tashmë kur Kuvendi konsiderohet i shpërndarë, ushtruesja e detyrës së Presidentit ka afat 10 ditë për të caktuar datën e zgjedhjeve, pas konsultimit me partitë politike dhe KQZ-në.

Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Cakolli ka shkruar se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve, por jo më herët se 30 ditë, nga shpërndarja e Kuvendit.

Ai, ka renditur edhe për siç ka thënë pasojat institucionale që prodhohen nga shkuarja në zgjedhje.

Postimi i tij i plotë:

Tashmë që Kuvendi konsiderohet i shpërndarë me efekt kushtetues, Ushtruesja e Detyrës së Presidentit ka afat 10 ditë për të caktuar datën e zgjedhjeve, pas konsultimit me partitë politike dhe KQZ-në.

Zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve, por jo më herët se 30 ditë, nga shpërndarja e Kuvendit. Megjithatë, afati 10-ditor i U.D. Presidentes për shpalljen e zgjedhjeve nuk e shtyn afatin e fundit për mbajtjen e tyre – që mund të jetë vetëm 31 maji ose 7 qershori.

Sidoqoftë, vet shkuarja në zgjedhje të reja prodhon pasojat e mëposhtme institucionale:

– Me shpërndarjen e Kuvendit, ka përfunduar edhe mandati i Qeverisë.

Nga mesnata e mbrëmshme, Qeveria konsiderohet në dorëheqje dhe veprimtaria e saj kufizohet vetëm në punë të domosdoshme dhe të planifikuara sipas buxhetit (që ka pasur mangësi të shumta) dhe planit vjetor (që nuk është publik). Qeveria nuk mund të propozojë më projektligje të reja, strategji apo dokumente tjera politike, nuk mund të iniciojë emërime në pozita publike dhe nuk mund të ndërmarrë marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi.

– Projektligjet në procedurë parlamentare rikthehen në pikën zero.

Në Kuvend kanë qenë rreth 30 projektligje në shqyrtim. Me shpërndarjen legjislaturës, këto nuk vazhdojnë më tutje, meqë i gjithë procesi legjislativ duhet të rifillojë nga pika zero pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

– Raportet e institucioneve të pavarura mbesin pa shqyrtim.

Asnjë raport vjetor i institucioneve të pavarura që i raportojnë Kuvendit nuk është miratuar. Me mungesën e Kuvendit funksional, këto raporte mbesin pezull dhe nuk trajtohen deri në krijimin e legjislaturës së re, duke pamundësuar llogaridhënien.

*

Pra, deri në mbajtjen e zgjedhjeve dhe krijimin e institucioneve të reja – që do të marrë kohë të paktën tre-katër muaj – shteti do të jetë në pauzë.