Kurti për tre emrat që ia kërkoi PDK-së e LDK-së: Garantojmë zgjedhjen e njërit prej tyre

E publikuar: 27/04/2026 18:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti thotë se i ka ofruar opozitën që ta ketë “Presidentin e vet”.

Ndërsa përmendi kërkesën ndaj PDK-së dhe LDK-së për t’i ofruar tre emra për pozitën e shefit të shtetit, Kurti tha gjatë një fjalimi në Kuvend se do ta garantonin zgjedhjen e njërit prej tyre.

“Sot opozita ka mundur ta ketë Presidentin e vet. Ata tre emra, ne garantojmë zgjedhjen e njërit prej tyre. Por, u refuzua. Opozita ka refuzuar të ketë kandidat konsensual, jashtë skenës politike të deritashme, që e propozon vetë ajo”, tha ai në seancën e jashtëzakonshme që u thirr për “diskutim” për Presidentin.

Kurti tha se ata “nuk kanë qenë të interesuar”.

Të shtunën në mëngjes, LVV-ja kërkoi nga PDK-ja dhe LDK-ja tre emra për President, por pa përmendur aty mbështetjen e mundshme në Kuvend.

Në atë propozim, LVV përmendte vetëm nënshkrimet për t’i çuar kandidatët në Kuvend, por jo edhe garancën për zgjedhjen e njërit prej tyre.

“Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike. Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”, thuhej në propozimin e LVV-së të shtunën.