Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademaj, i është drejtuar me lutje mediave në Shqipëri, që të mos i publikojnë videot nga provat e rastit, duke kërkuar që t’i largojnë videot dhe të mos i shfaqin në televizione.
Ai ka shtuar se, këto prova kanë pasur qëllim që të të dëshmojnë dhe të vërtetojnë vrasjen e Liridona Ademajt.
Postimi:
Lutje për mediat në Shqipëri
Të nderuar përfaqësues dhe drejtues të mediave në Shqipëri,
Ne, si familje, jemi informuar se kanë filluar të qarkullojnë video nga provat e rastit të diskutuara në gjykatë.
Në Kosovë kemi kërkuar nga mediat që prova të tilla të mos publikohen dhe kemi hasur në një bashkëpunim shumë të mirë.
I lusim të gjitha mediat, gazetarët, komentuesit, blogerët dhe influencerët në Shqipëri që t’i largojnë nga platformat e tyre këto video dhe të mos i shfaqin në televizione.
Këto prova kanë pasur vetëm një qëllim, të dëshmojnë dhe të vërtetojnë vrasjen e motrës sonë. Ky qëllim tashmë është arritur dhe qarkullimi i tyre e denigron figurën e motrës sonë, krijon kujtime të tmerrshme për fëmijët e saj, të cilët nënën e tyre duhet ta kujtojnë ashtu siç ishte në jetë, dhe i shërben vetëm kureshtjes së publikut, e jo interesit publik.
Prandaj, ju lutemi shumë që ta dëgjoni thirrjen tonë.
Me respekt,
Leonard Ademaj me familje


















