AGK, IKD, Fol dhe Kusari kritikojnë VV-në për zgjedhjen e bordit të RTK e KPM: Proces i komprometuar, u bë me nxitim e pa transparencë

E publikuar: 24/04/2026 22:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka shprehur zhgënjimin me Lëvizjen Vetëvendosje, lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës dhe të Komisionit të Pavarur për Media, duke e cilësuar si një “proces të dokumentuar haptazi si të komprometuar”.

Nga AGK, është thënë edhe se, kandidatët dy trupave drejtues të këtyre institucioneve janë përzgjedhur në procese të nxituara, pa transparencë dhe me procedura të çrregullta, të cilat e kanë pamundësuar zbatimin e parimit të meritokracisë.

Postimi:

Ne, të poshtëshënuarit, shprehim zhgënjimin tonë me vendimin e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës dhe të Komisionit të Pavarur për Media në një proces të dokumentuar haptazi si të komprometuar.

Kandidatët e dy trupave drejtues të këtyre institucioneve janë përzgjedhur në procese të nxituara, pa transparencë dhe me procedura të çrregullta, të cilat e kanë pamundësuar zbatimin e parimit të meritokracisë.

Proceset kanë dështuar për arsyet në vijim: insistimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ky proces të përmbyllej brenda një afati të shkurtër dhe koha e pamjaftueshme në dispozicion, organizimi i çrregullt si pasojë e presionit kohor, cenimi i trajtimit të barabartë të kandidatëve, metodologjia e paqartë dhe jo transparente, sidomos me vendimin që poentimi i kandidatëve të mos bëhet pas secilës intervistë, si dhe favorizimi politik i disa kandidatëve. Në veçanti, është shqetësuese që në KPM është përzgjedhur Besnik Berisha, i cili gjatë mandatit të tij në këtë institucion, në përpjekje për t’u avancuar sa ishte anëtar në KPM, kishte shkelur ligjin për t’u bërë kryetar i bordit, dhe Luljeta Aliu Krasniqi, e cila ka lavdëruar dhe mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje dhe njihet si mbështetëse e pushtetit.

Anëtarët e të dy bordeve do të veprojnë nën hijen e mandateve të marra në procese të komprometuara. Ne do të monitorojmë me vëmendje të shtuar punën e të dy bordeve dhe do të informojmë publikun për veprimet e tyre.

Vlerësimi i procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës – https://agk-ks.org/…/procesi-i-perzgjedhjes-se…/

Vlerësimi i procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionitt e Pavarur për Media – https://agk-ks.org/…/vv-ja-synon-vazhdimin-e-kapjes-se…/

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK

Lëvizja FOL

Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së mediasa