Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke iu bashkuar kritikave për mënyrën e adresimit të situatës politike dhe mundësisë së shkuarjes në zgjedhje.
Në reagimin e saj, Çitaku ka thënë se Kosova nuk i përket vetëm një partie apo një udhëheqësi.
“Kryeministër, qetësohu. Përkundër kapjes së institucioneve, Kosova fatmirësisht nuk është vetëm e jotja. Si do t’ia shpjegosh popullit që t’i dhanë 51% të votave se nuk dëshiron e nuk di të qeverisësh?”, ka shkruar ajo.
Ajo ka theksuar se përgjegjësia për qeverisje nuk mund të shmanget dhe se qytetarët, sipas saj, do të japin përgjigjen e tyre në zgjedhje.
“Këtë e di ti, mirëpo çfarë di unë është se ti do ta marrësh përgjigjen e merituar nga ta. Prandaj, lutja ime është krejt e sinqertë: ose qeveris, bashkëpuno e jepi drejtim Kosovës, ose lësho rrugë e lëri më ankesat, krizat e lojërat fëmijërore në kurriz të qytetarëve”, ka shtuar ajo.
Çitaku ka theksuar se Kurti nuk është “armiku”, por sipas saj përfaqëson një sfidë politike.
“Ti nuk je armiku ynë. Ti je vetëm një sfidë që, në ditën kur nuk do të jesh në drejtimin e vendit, për shtetin dhe qytetarët do të bëhet shumë më mirë”, ka shkruar ajo.
Ajo ka paralajmëruar zgjedhjet si zgjidhje të situatës aktuale politike.
“Shihemi në zgjedhje, aty ku ky popull i abuzuar politikisht nga ti për shumë vjet, do të flasë me votë. I paaftë!”, ka shtuar Çitaku.

















