Hoti kritikon Qeverinë për mungesë të transparencës në procesin e dialogut

E publikuar: 24/04/2026 13:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i LDK-së, Abdullah Hoti, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për mungesë të transparencës në procesin e dialogut teknik me Serbinë, duke e cilësuar si situatë shqetësuese për Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës.

Ai ka kërkuar që Kuvendi të nxjerrë një rezolutë që adreson çështjen e transparencës dhe rikonfirmon orientimin për marrëveshje me njohje reciproke.

“Në emër të grupit parlamentar të LDK-së, do të flas për dy tema nacionale, e para është dialogu me Serbinë. Gjatë këtyre muajve dhe viteve, në menaxhimin e këtij procesi është një kthim prapa dhe nuk është hera e parë që po e përmendim, sepse ka pasur një dakordim që ky proces të orientohet drejt marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke, ndërkohë që tash është kthyer mbrapa, në atë që ne e kemi quajtur për vite të tëra, dialog teknik”, tha Hoti.