Në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, është lansuar zyrtarisht Instituti i Farmacisë.
Ministri i Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hajrullah Çeku, ka thënë se themelimi i këtij instituti është mjaftë i rëndësishëm për Universitetin e Prishtinës dhe për zhvillimine arsimit ën vend.
Sipas tij Instituti i Farmacisë, krijon mundësi që universiteti të mos jetë vetëm vend i transmetimit të dijes, por vend ku dija prodhohet përmes kërkimit, analizimit, bashkëpunimit me praktikën.
“Kam kënaqësinë të jam sot me ju në këtë ngjarje të rëndësishme, ku shënojmë hapjen zyrtare të Institutit të Farmacisë. Ky është një moment i rëndësishëm për Universitetin e Prishtinës dhe për zhvillimin e arsimit të lartë në vend. Themelimi i këtij instituti nuk është vetëm një hap organizativ, por një drejtim i qartë: forcimi i lidhjes mes arsimit, profesionit dhe nevojave reale të shoqërisë.
Por, po aq i rëndësishëm është edhe një dimension tjetër: rikthimi i vëmendjes tek kërkimi shkencor dhe prodhimi i dijes. Reforma që po e çojmë përpara në arsim e sheh arsimin e lartë jo vetëm si hapësirë mësimdhënieje, por si nxitës të dijes, inovacionit dhe zhvillimit. Në këtë kuadër, kemi përcaktuar qartë rritjen e mbështetjes për shkencën dhe orientimin e universiteteve drejt profilizimit kërkimor dhe aplikativ.
Instituti i Farmacisë është pikërisht një shembull i kësaj qasjeje. Ai krijon mundësi që universiteti të mos jetë vetëm vend i transmetimit të dijes, por vend ku dija prodhohet përmes kërkimit, analizimit, bashkëpunimit me praktikën. Në një sektor si farmacia dhe këtë ju e dini më mirë se të gjithë ne kërkimi shkencor është domosdoshmëri. Ai lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e shërbimeve shëndetësore, me sigurinë e produkteve dhe me zhvillimin e industrisë farmaceutike.
Prandaj, si Ministri e Arsimit dhe e Shkencës, ne do të vazhdojmë të mbështesim fuqizimin e kërkimit shkencor përmes rritjes së financimit, nxitjes së bashkëpunimeve dhe krijimit të kushteve që institucionet tona të prodhojnë dije me vlerë për vendin.
Të nderuar të pranishëm, Instituti i Farmacisë ka potencialin të bëhet një urë e fortë mes arsimit e kërkimit dhe tregut të punës, si dhe një pikë referimi për zhvillimin e këtij sektori në Kosovë. Ky është një hap i rëndësishëm, por edhe një përgjegjësi e përbashkët për ta zhvilluar më tej këtë iniciativë”, tha Çeku.
Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu ka treguar se pikërisht dokumenti i parë që ka nënshkruar kur ka marrë pozitën ka qenë dokumenti për themelimin e këtij instituti.
“Për momentin unë jam para dy sfidave: e para, e di se duhet me qenë i shkurtë dhe ne të dy, duhet të flasim ngadalë për shkak të përkthimit, e kjo nuk është e lehtë për një filozof ose dikë që vjen nga Fakulteti Filozofik. Unë me shumë kënaqësi e kujtoj që dokumenti i parë që e kam nënshkruar në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës ka qenë dokumenti për themelimin e Institutit të Farmacisë. Ky institut, unë besoj sikurse edhe institutet e tjera, ka një potencial të jashtëzakonshëm që të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm drejt përmbushjes së misionit të Universitetit të Prishtinës.
Ne e dimë që misioni i Universitetit të Prishtinës është shumë-dimensional. Njëri nga këto funksione që ne duhet t’i përmbushim është edhe që ta lidhim sa më shumë dhe më ngushtë shkencën me industrinë, me dobinë për ekonominë edhe për shoqërinë. Unë besoj fort që ky institut vërtet e ka potencialin e kam vërejtur edhe para disa ditësh në një takim që kisha me kolegët e degës së Farmacisë si dhe duke ditur mbështetjen që ekziston brenda Fakultetit të Mjekësisë, por edhe brenda Universitetit të Prishtinës.
Kam pasur shumë takime me kolegë, por edhe me kolegë nga Shtetet e Bashkuara që na kanë ndihmuar, ju kanë ndihmuar Institutit të Farmacisë edhe në themelim, por tash edhe drejt hapave të planifikimit se kah me u zhvillu tutje. Një profesor nga Shtetet e Bashkuara ma ka shpjeguar shumë thjesht, madje që kam arritur ta kuptoj edhe unë, sistemin se si funksionon te ta. Ai thoshte se studimet e Farmacisë, Mjekësisë dhe Stomatologjisë janë në një nivel shumë të lartë dhe konkurrues meqenëse këto tri degë/disiplina funksionojnë në mënyrë autonome, por janë ngushtë të lidhura me njëra-tjetrën.
Kjo, para disa kohe kur kemi pasur rastin këtu me u mbledh me festu 50-vjetorin e stomatologëve, e tani jemi mbledh me shënu këtë institut të farmacisë. Unë besoj që ne nuk duhet të jemi modestë, duhet të jemi ambiciozë për të ardhmen edhe me planifiku mirë këtë, pa u ngutur por pa humbur kohë s’kemi kohë me humbë me ndërmarrë hapa.
Unë e di që disa thonë që farmacistët janë shumë të vegjël. Ata do të doja t’ua rikujtoja këtë gjë publikisht: që pa qenë i vogël nuk mundesh me u bë i madh. Në këtë rast ne si Universitet i Prishtinës, ju si disiplinë shkencore e Farmacisë, e keni një detyrë që ne duhet t’i dalim zot bashkërisht. Njerëzit e Kosovës, pacientët, të gjithë e meritojnë që të garantohet, ndër të tjera, që marrin edhe barna cilësore, që ato barna i kanë ato përbërje që ju shkruan në paketim. Unë e di që ka shpeshherë vështirësi, e ndoshta kjo gjë bëhet në këtë drejtim”, tha Hajrullahu.
Kurse, profesoresha në departamentin e farmacisë në Universitetin e Prishtinës, Pranvera Breznica shkurtimisht tha se me themelimin e këtij instituti shënohet institucionalizimi i një vizioni që lidh akademinë me praktikën profesionale.
“Sot nuk po shënojmë vetëm hapjen e një strukture të re, por shënojmë institucionalizimin e një vizioni që synon lidhjen e ngushtë akademike me praktikën profesionale, industrinë, shërbimin shëndetësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit farmaceutik në Republikën e Kosovës”, tha Breznica.
















