Nga një muaj paraburgim tetë të dyshuarve për skema piramidale dhe bixhoz në rajonin e Mitrovicës

E publikuar: 20/04/2026 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Mitrovicë, degët në Vushtrri dhe Skenderaj, ua caktuan masën e paraburgimit prej një muaji tetë personave të dyshuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Prej tyre, gjashtë persona janë dërguar në paraburgim me vendim të Degës së Gjykatës në Vushtrri, ndërsa dy të tjerë me vendim të Degës së Gjykatës në Skenderaj.

Prokuroria e Mitrovicës bëri të ditur se gjithsej për 27 persona është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa seancat janë mbajtur sot në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj.

Operacioni i 18 prillit është realizuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, duke përfshirë rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë aksionit janë shoqëruar 34 persona të dyshuar dhe janë kontrolluar rreth 50 lokacione, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private.

Po ashtu, janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për zhvillimin e aktiviteteve të kundërligjshme.

Me vendim të prokurorit të rastit, 29 persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.