Komisioni për Buxhet miraton amendamentet për ligjin për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim

E publikuar: 20/04/2026 13:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni për Buxhet më gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka miratuar amendamentet e Grupit punues për Projektligjin nr.10/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-032 për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, raporton Ekonomia Online

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se ky projektligj trajton tri çështje.

“Çështjet që ne i kemi sjellë si propozim-ligj, të cilat i ka shpjeguar mirë edhe kryetari, por po mendoj që është e udhës edhe njëherë të sqaroj që këtu kemi të bëjmë me propozimin, pra, apo projektligjin që kemi sjellë ne, trajton kryesisht tri çështje apo tri tema. E para ka të bëjë me ridefinimin e asaj se çka quhet shoqatë e kontabilitetit dhe detyrimin për t’u anëtarësuar në Federatën Ndërkombëtare të Kontabilitetit apo në mënyra të tjera se si mund të quhet kjo shoqatë. Pra kjo është ridefinim sepse ka qenë pikë e këtij sektori. E dyta ka të bëjë me dorëzimin edhe në formë digjitale të pasqyrave financiare, gjë që e lehtëson procesin dhe rrit saktësinë e informatave. Edhe e treta ka të bëjë me masat disiplinore dhe marrjen e licencave apo ndëshkimin e licencave, gjë që nuk ka qenë mirë e rregulluar në të kaluarën apo që në mënyrë që të rritet edhe disiplina, por edhe të sigurohet që auditimi i ligjor i gjithë është konform kritereve dhe standardeve të duhura. Pra, këto tri janë ato tri tema. Dhe përderisa ka amandamente sa i përket këtyre tri temave, pra që përmirësojnë rregullimin që është propozuar, unë mendoj që janë të mirëseardhura. Mirëpo për të zgjeruar përtej këtyre tri temave, unë po mendoj që ne duhet të ulemi të gjithë rreth tryezës edhe të ketë edhe një diskutim publik për këtë çështje, sepse kërkesa që ka ardhur pra nga Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Auditorit të Përgjithshëm ka të bëjë me një ri-kualifikim sa i përket asaj se kush mund të quhet auditor ligjor, gjë që duhet të shqyrtohet nga ekspertët por edhe të ketë një diskutim të gjerë publik para se të ndërmarrim një hap të tillë. Pra, nuk po e mohojmë a priori si çështje të tillë, mirëpo mendoj që na duhet një diskutim i gjerë sepse kjo nuk është vetëm çështje teknike, është një ndryshim substancial nga asaj se çka quhet dikush apo si mund të quhet dikush auditor ligjor”, tha Murati.

Kryetari i komisioni për Buxhet, Enver Haliti i ka treguar amandamentimet që i votoi komisioni e të cilat janë tekstuale.

“Atëherë, nëse s’ka diskutime të tjera, mund të fillojmë me votimin e amandamenteve që janë propozuar dhe votuar në grupin punues, në përbërjen të cilën e lexuam më lart. Atëherë, amandamenti numër 1 është në nenin 2 të projektligjit, zëvendësohet fjala “reformulohet” me fjalën “ndryshohet”. Ky ndryshim bëhet në tërë tekstin e projektligjit ku është përdorur ky term.

Kalojmë te amandamenti numër 2 që është neni 3, paragrafi 5 i projektligjit, ndryshohet teksti nga “paragrafet 1 deri 3 të këtij neni” në “paragrafet 1, 2 dhe 3 të këtij neni”. Teksti tjetër mbetet si në projektligj.

Tani jemi te amandamenti numër 3, neni 4, paragrafi 2 i projektligjit, ndryshohen afatet nga “dyvjeçare” që është vetëm me tekst, në “2-vjeçare” që është me numër dhe me tekst. Po ashtu, afati trivjeçar që është vetëm tekst, në 3-vjeçar me numër dhe me tekst, si dhe pesëvjeçare në 5-vjeçare me numër dhe me tekst.

Jemi te amandamenti numër 4, neni 4, paragrafi 4 i projektligjit, ndryshon afati nga “gjashtëmujore” që është vetëm tekst, në “6-mujore” me shifër dhe me tekst.

Jemi te amandamenti numër 5, neni 5, paragrafi 3 i projektligjit, ndryshohet referenca pas fjalëve “neni 36” të shtohen fjalët “të ligjit bazik”.

Jemi te amandamenti numër 6, neni 6, paragrafi 1 i projektligjit, pas referencës në nenin 36, paragrafi 3, shtohen fjalët “të ligjit bazik”, teksti tjetër mbetet si në projektligj.

Jemi te amandamenti numër 7 dhe i fundit, që është neni 6, paragrafi 2 i projektligjit, pas referencës në nenin 36, pas paragrafit 9, shtohen fjalët “të ligjit bazik”. Teksti tjetër mbetet si në projektligj”, tha Haliti.