Ministri i Jashtëm dhe i Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, po merr pjesë në samitin e katërt i diasporës që po mbahet në Tiranë në një panel ku po marrin pjesë homologu i tij shqiptar, Ferit Hoxha, kreu i BDI’së, Ali Ahmeti, nga Maqedonia e Veriut, deputeti shqiptar në Mal të Zi, Dritan Abazoviq, e të tjerë.
Konjufca në këtë samit dha disa ide se si të lidhet më shumë mërgata me vendin duke thënë se është kaluar tashmë “faza folklorike”.
Ndër të parat gjëra që duhen bërë, sipas Konjufcës, është dërgimi i mësimdhënësve në pesë shtete ku ma shumë mërgatë shqiptare, SHBA, Greqi, Itali, Gjermani dhe Zvicër, raporton Gazeta Express.
Konjufca tha se fokusi duhet të jetë te ushqimi i identitetit shqiptar të fëmijëve.
“Sikur të mund të arrinim në këto shtete, të mund ta dërgonim një numër të madh të mësimdhënësve të cilët financiarisht mbulohen nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës. Ata do të ishin me qindra mësimdhënës, të cilët shkojnë dhe e mirëmbajnë shkollën shqipe në qytete ku më së shumti është e përqendruar mërgata jonë”.
Konjufca tha se deri tash kjo ka qenë në mënyrë vullnetare e organizuar nga mërgata atje.
“Konsideroj që numri i fëmijëve të mërgatës tonë është i vogël që përfshihen në këto shkolla. S’besoj që arrin nivelin 10% e fëmijëve tonë që jetojnë në mërgatë dhe ndjekin shkollën shqipe”.
Konjufca tha se për këtë i kanë statistikat dhe se e dinë “për çka po flasim”, duke thënë se ky numër është i vogël.
“Më shumë është çështje e familjes personalisht se sa e ushqen fëmijën e vet me identitetin dhe gjuhën shqipe dhe me historinë dhe me rrëfimet shqiptare. Por, kjo s’duhet të jetë vetëm pjesë e familjes. Deri tash arritshmëria nuk është bash e kënaqshme dhe kemi nevojë ta ngrisim në një nivel të ri këtë”.
Tjetra që duhet të bëhet, sipas Konjufcës, është rrjetëzimi i mërgatës, duke thënë se ky është “një projekt shumë i rëndësishëm”.
“Duhet të krijojmë ombrella të përbashkëta të të gjitha organizatave dhe shoqatave shqiptare”, tha Konjufca, duke shtuar se ato kanë ndihmuar shumë.
Por, këtu ai thotë se duhet të avancojë përfaqësimi edhe në një “politizim” pozitiv të mërgatës me vendet e tyre.
“Por nëse duam ta ngrisim reprezentimin shqiptar, bile edhe politizimin e mërgatës në një kuptim pozitiv, në kuptimin shtetëror po foli, jo në kuptimin e partive politike sepse ai s’është politizim pozitiv, më pozitivi i mundshëm, por në kuptimin e shtetit. Të jenë të politizuar në lidhshmërinë që e kanë me atdheun e tyre. Ky është një politizim pozitiv që na duhet dhe duhet ta rrjetëzojmë mërgatën tonë”.


















