Haradinaj i referohet Qeverisë Kurti si “në detyrë”, i reagon Fitore Pacollit që ndaloi materialet ndërtimore për Bjekshkë të Nemuna

E publikuar: 07/03/2026 11:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria e Kosovës të cilës i është referuar si qeveria në largim, është shkëputur nga realiteti i qytetarëve.

Sipas Haradinajt, vendimi i ministres Fitore Pacolli për të ndaluar transportin e materialeve ndërtimore në Bjeshkët e Nemuna me arsyetimin për mbrojtje të ekosistemit është një shembull i kësaj shkëputjeje.

“Në vend që kjo perlë turistike e Kosovës të mbështetet me investime në rrugë, infrastrukturë dhe zhvillim të qëndrueshëm, po përballet me vendime që rrezikojnë ta izolojnë dhe ta mbysin çdo mundësi zhvillimi. Ky është mentaliteti i një qeverie që në largim po lë pas vetëm pengesa, vendime të dëmshme dhe një pasqyrë të qartë të paaftësisë për të kuptuar nevojat reale të qytetarëve të saj”, ka shkruar Haradinaj.

Reagimi i plotë:

Shkëputja totale e kësaj qeverie në largim nga realiteti i qytetarëve të Kosovës është e thellë.

Vendimi i ministres në detyrë, Fitore Pacolli, për të ndaluar transportin e materialeve ndërtimore në Bjeshkët e Nemuna, me arsyetimin e mbrojtjes së ekosistemit, është një shembull i qartë i një qasjeje të paditur dhe të shkëputur nga realiteti. Pa e njohur terrenin, pa e kuptuar jetën e njerëzve që jetojnë atje dhe pa ndjerë vështirësitë e tyre, po merren vendime që godasin drejtpërdrejt familjet, fshatrat dhe ekonominë lokale. Rugova dhe Bjeshkët e Nemuna nuk janë thjesht një zonë natyrore në hartë, ato janë zona të banuara me 13 fshatra, ku njerëzit jetojnë, ndërtojnë, punojnë dhe përpiqen të zhvillojnë ekonominë e tyre në kushte tashmë të vështira infrastrukturore.

Në vend që kjo perlë turistike e Kosovës të mbështetet me investime në rrugë, infrastrukturë dhe zhvillim të qëndrueshëm, po përballet me vendime që rrezikojnë ta izolojnë dhe ta mbysin çdo mundësi zhvillimi. Ky është mentaliteti i një qeverie që në largim po lë pas vetëm pengesa, vendime të dëmshme dhe një pasqyrë të qartë të paaftësisë për të kuptuar nevojat reale të qytetarëve të saj.