Reagon LDK: Qasja e VV-së është për keqardhje, vendi rrezikon zgjedhje të reja

E publikuar: 04/03/2026 17:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media duke qasja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk është serioze për një konsensus të përbashkët.

Në komunikatë thuhet se konsensusi nuk është garë politike dhe nuk mundet njëra parti të propozojë emra ndërkaq tjerat parti të ftohen vetëm për mbështetje të tyre.

“Konsensusi nuk është garë politike dhe nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata. Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar”, thuhej në njoftim.

Gjithashtu LDK-ja u shpreh se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja dhe se qytetarët meritojnë stabilitet institucional.

“Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë”, shkruan tutje.