Bajrami: Kurti takon që dy herë kryetarët e LDK-së dhe PDK-së pa dhënë asnjë propozim

E publikuar: 02/03/2026 19:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dy herë është takuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe atë të PDK-së, Bedri Hamza, dhe nuk është dhënë asnjë propozim apo emër për president.

Ajo thotë se Lëvizja Vetëvendosje bashkë me minoritete i ka 66 vota në Kuvend dhe është përgjegjësja kryesore për zgjedhjen e presidentit.

“E para duke e bërë pjesë të Qeverisë ndonjërën prej partive politike në mënyrë që më vonë të siguroheshin votat edhe për president ose tani duke propozuar një president apartiak – një që pranon të bëhet president. Por, Kurti as s’e ka bërë të parën as s’po e bën të dytën dhe nëse mendon që ka me zgjedhë president me shantazh duhet të mendohet dy herë, se gjasat janë reale që nuk përsëritet më 2021-ta”, tha Bajrami në një postim në Facebook.

Ajo në shkrimin e saj në Facebook thotë se nëse Kosova shkon në zgjedhje do të mbetemi pa institucione funksionale për muaj të terë dhe sipas saj kjo është papërgjegjësi totale.

Bajrami ka thënë se qytetarët duhet ta vëzhgojnë sjelljen e Kurtit dhe ta kuptojnë “se ai veç hallin e tyre nuk e ka”.

“Ai nuk e ka hallin e faturave të energjisë që pritet të rritën prapë, as të arsimit, as të shëndetësisë as atë të migracionit. Kurti dëshiron ta fusë nën kontrolle secilin institucion dhe mandej të sillet sikur të ishte mbret. Kosova nuk guxon të mbetet peng i dy as tre emrave për president, jam e sigurt, se ka burra e gra me dije e integritet jashtë partive politike më shumë se brenda tyre, vetëm duhet vullnet e guxim, duhet me qënë në gjendje me vendosë interesin e vendit e interesin e qytetarit para atij personal e të partisë”, tha ajo.

Ndërkaq, të hënën Albin Kurti është takuar për të dytën herë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku pas këtij takimi ai tha se se do t’i intensifikojnë diskutimet në dy ditët e ardhshme me partitë parlamentare që presidenti të zgjidhet me sukses. Afati I fundit për zgjedhjen e presidentit është 4 marsi.