Detaje për Mercedesin e Gruevskit

E publikuar: 13/05/2015 22:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mercedesi i shtrenjtë i cili u diskutua në publikimin e sotëm të bisedave të përgjuara mes ish-ministrit të punëve të brendshme, Gordana Jankulloska, dhe kryeministrit Nikola Gruevski, është shitur në vitin 2012.

Sipas bisedimeve të cilat opozita i publikoi në “bombën” e sotme, Gruevski dhe Jankullovska planifikojnë se si ta gënjejnë publikun se Mercedesi është i Policisë, e jo për Gruevskin personalisht, sepse ai nuk do të paraqitet para publikut me vetura të shtrenjta.

Në vitin 2012 kur mediumet raportuan se MPB bleu Mercedes prej gati 600 mijë euro, mediumet maqedonase shkruan në detaje për veturën. Në qershor 2012, “Utrinski Vesnik” ka shkruar për prokurimin ku tregohet se kjo është vetura e tretë e blinduar e Policisë. Ministria deklaroi se vetura do të vozitet vetëm kur do jetë e nevojshme.

“Bëhet fjalë për shpalljen e blerjes së automjetit të blinduar, që do të shfrytëzohet për nevojat policore. MPB e ka blerë veturën te distributori Kompania ‘Mak Auto Star’ e cila sipas marrëveshjes së publikuar, ka qenë e vetmja kompani që ka dorëzuar ofertë në konkursin publik të Ministrisë” shkruante gazeta.

“Ashtu është situata me të gjitha automjetet që i posedojmë. Asnjëra nuk është për përdorim personal të funksionarëve. Për shembull, xhipi i cili përdoret shpesh nga ministrja është përdorur për ngjarje të ndryshme, për mysafirë, kur ka pasur nevojë për siguri të lartë. Ashtu do të jetë edhe me automjetin e ri”, deklaroi ne qershor 2012 për “Utrinski”, Ivo Kotevski, ndihmësministri për marrëdhënie me publikun të MPB.

Përveç Gruevskit, nga politikanët në Ballkan është i vetmi ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader – i cili më vonë u gjykua për korrupsion – që e ka dashur Mercedesin e njëjtë. Kroacia e ka blerë, por nën presion të rendë nga publiku, Sanader u detyrua të hiqte dorë nga ai. /PortAlb/