12-vjeçarja që u përdhunua nga i moshuari në Pogradec, shkonte në shtëpinë e tij për ta ndihmuar

E publikuar: 31/12/2025 09:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e raportuar në Pogradec, ku një vajzë 12-vjeçare dyshohet se është abuzuar seksualisht nga një i moshuar 70-vjeçar dhe aktualisht rezulton shtatzënë rreth 22 javëshe.

Familjarët e të miturës, në deklarime jashtë kamerave, janë shprehur se mes tyre dhe autorit të dyshuar kishte marrëdhënie të afërta shoqërore, duke theksuar se familjet frekuentonin shpesh banesat e njëra-tjetrës. Sipas tyre, raportet kanë qenë korrekte dhe nuk kishin pasur asnjë dyshim se mund të ndodhte një ngjarje e tillë, raporton JOQ.

Ata shprehen se po përjetojnë një gjendje të rënduar emocionale dhe ndihen të tronditur dhe të turpëruar nga ajo që ka ndodhur, ndërsa presin që drejtësia të veprojë dhe të sqarojë plotësisht rrethanat e rastit.

Burime hetimore bëjnë me dije se banesat e familjes së vajzës dhe të autorit të dyshuar ndodhen ngjitur me njëra-tjetrën. Po sipas këtyre burimeve, e mitura lejohej nga familjarët të shkonte herë pas here në dyqan, për të ndihmuar familjen e të dyshuarit, pa pasur dyshime për rrezik.

Rasti është zbuluar pasi prindërit kanë vënë re ndryshime fizike te vajza, çka i ka shtyrë ta dërgojnë për kontroll mjekësor. Pas ekzaminimeve, mjekët kanë konstatuar se e mitura ishte shtatzënë.

Mësohet se i dyshuari, Rushan Selko, e ka kërcënuar vazhdimisht të miturën që të mos tregonte për ngjarjen. Aktualisht, organet kompetente po vijojnë veprimet hetimore, po marrin në pyetje familjarët dhe persona të tjerë të përfshirë në rrethana, ndërsa vajza ka rrëfyer ngjarjen në prani të një psikologu.