I vazhdohet paraburgimi Thaçit

E publikuar: 11/12/2025 15:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masë së paraburgimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçit, i cili së bashku me Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vendimi është marrë më 10 dhjetor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Paraburgimi ndaj Thaçit është vazhduar edhe për dy muaj, pasi trupi gjykues ka konstatuar se ka rrezik që ai të pengojë procedurat dhe të kryejë krime të tjera në këtë fushë.

Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit kanë mbyllur zyrtarisht paraqitjen e provave.

Ndryshe, mbrojtja kishte filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Ëesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.